Ligji "Për Prokurorinë", tërhiqet Alibeaj
Trazhgim Sokolaj
Ministria e Drejtësisë shtyu dje afatin e paraqitjes në Qeveri për draftin e ndryshimeve në ligjin e Prokurorisë. Vendimi erdhi pas një takimi që përfaqësuesit e ministrit Alibeaj zhvilluan dje rreth orës 10:00 me zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Këta të fundit kanë paraqitur vërejtjet e tyre për përmbajtjen e draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, por janë shprehur më tej se koha që u është vënë në dispozicion ka qenë e pamjaftueshme për të dhënë mendime dhe për të diskutuar situatat që mund të sjellë në të ardhmen përmbajtja e projektligjit, nëse ai miratohet. Mësohet se kërkesa e Prokurorisë për më shumë kohë në shqyrtimin e projektligjit ka qenë e mbështetur edhe nga vetë Kryeprokurorja Ina Rama, por edhe nga Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shoqata Kombëtare e Prokurorëve. Në këtë mënyrë, dje rreth mesditës, përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme u është pohuar nga Ministria e Drejtësisë, vendimi për shtyrjen edhe me një javë tjetër të afatit për paraqitjen e projektligjit në Qeveri për miratim. Brenda kësaj jave, Prokuroria duhet të nxjerrë përfundimet e saj rreth draftit dhe t’i paraqesë ato për diskutime në Ministrinë e Drejtësisë.
“Konflikti” për draftin
Për shkak të ndryshimeve që pësoi ditët e fundit projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, “konflikti” i këtij institucioni me Prokurorinë, lidhur me draftin, tashmë është reduktuar në një numër më të vogël pikash që përmban dokumenti. Sipas burimeve zyrtare, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, janë shprehur dje kundër heqjes së imunitetit të prokurorëve, si dhe kanë cilësuar të papranueshme përmbajtjen e nenit 25 të draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Neni 25 i dokumentit, parashikon se pas miratimit të projektligjit, “Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend të paktën një herë në vit raport me shkrim lidhur me inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme lidhur me masat disiplinore ndaj prokurorëve. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend, mendimin e tij lidhur me raportin e Ministrisë së Drejtësisë”. Ky parashikim në nenin 25 të draftit është konsideruar problematik edhe nga vetë Prokurorja e Përgjithshme gjatë një deklarimi në media tri ditë më parë. I njëjti nen, i jep të drejtën ministrit të Drejtësisë, që mbi bazën e inspektimeve të bëra prej tij, t’i propozojë Prokurorit të Përgjithshëm marrjen e masave ndëshkimore për vartësit e tij, të cilët gjenden me shkelje apo me abuzime të ndryshme në detyrë. Sipas këtij neni, edhe rekomandimi i ministrit të Drejtësisë dhe po ashtu qëndrimi i mbajtur nga Prokurori i Përgjithshëm, i bëhen të ditura Presidentit të Republikës.
Projektligji, kërcënim për Prokurorinë
TIRANE – Të parët që reaguan ishin diplomatët amerikanë, më pas reagoi edhe misioni EURALIUS dhe më vonë edhe prokurorët. Ata shprehën shqetësimin e tyre për atë që po ndodhte me projektligjin “Për Prokurorinë”. Përfaqësuesit e akuzës e konsideruan përmbajtjen e draftit si një dokument, i cili nëse miratohej do të përbënte zhvendosje në pozicionin ku Kushtetuta e ka vendosur Prokurorinë shqiptare. Nga ana tjetër, prokurorët kanë reaguar ashpër dhe e kanë cilësuar të papranueshëm nenin 17 të projektdraftit, i cili parashikon heqjen e imunitetit të përfaqësuesve të akuzës. Ata thonë se prokurorët kanë një imunitet simbolik krahasuar me imunitetet e deputetëve apo të gjyqtarëve, ndërsa përmbajtja e draftit në këtë pikë, vë në dyshim statusin e tyre dhe i ekspozon ata ndaj incidenteve të rëndomta të rrugës.
Drafti
• Hiqet imuniteti i prokurorëve
• Ministria e Drejtësisë ka dy anëtarë me të drejtë vote në Këshillin e Prokurorisë
• Hiqet e drejta e votës për përfaqësuesin e Presidencës në Këshillin e Prokurorisë
• Ulet paga e Prokurorit të Përgjithshëm, barazohet me pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë
• Prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit pezullohen kur marrin cilësinë e të pandehurit
• Transferimi i Prokurorëve në detyrë bëhet vetëm me marrjen e pëlqimit prej tyre
• Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është 5 vjet, pas largimit nga detyra kryeprokurori mund të konkurrojë për Shkallën e Parë dhe të Dytë të akuzës
• Ministri i Drejtësisë paraqet raport vjetor në Kuvend për inspektimet e bëra në Prokurori, ku jep të dhëna për masat disiplinore dhe shkeljet e prokurorëve