Kriza, KESH përjashton skenarin e kufizimeve
Burimet nga Korporata kanë siguruar se importi i energjisë kontraktohet me periudha mujore, për të administruar kostot nga luhatja e çmimeve. Ndërkohë që është siguruar importi i energjisë për muajin dhjetor, KESH siguron se kjo do të ndodhë edhe për muajt e tjerë të vitit
Ndonëse në një situatë të vështirë të prodhimit të energjisë dhe fondeve për blerjen e saj, Korporata Elektroenergjetike ka shpjeguar se vendi nuk do të përjetojë kufizime të energjisë. Burimet nga Korporata kanë siguruar se importi i energjisë kontraktohet me periudha mujore, për të administruar kostot nga luhatja e çmimeve. Ndërkohë që është siguruar importi i energjisë për muajin dhjetor, KESH siguron se kjo do të ndodhë edhe për muajt e tjerë të vitit. Me çmimet aktuale fatura e importit të energjisë i kalon të 45 milionë eurot, ndërkohë që korporata ka konsumuar edhe overdraftet në shërbim të importit të energjisë. Mirëpo sipas të njëjtave burime KESH ka marrë garancinë nga qeveria se fondet për importin e energjisë do të gjenden dhe nuk do të ketë kufizime të energjisë. Këtë fakt e ka pohuar pak kohë më parë në media ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka dhënë garancinë se buxheti i shtetit do të financojë blerjen e energjisë nga jashtë, duke lajmëruar se për shkak të kësaj situate mund të tejkalohet kufiri i borxhit publik deri më tash 60 për qind. Sipas Ministrisë së Financave, kjo është një situatë emergjente, të cilën qeveria duhet ta përballojë edhe në këmbim të rritje së faturës së borxhit. Nga ana tjetër situata e prodhimit të energjisë nga burimet vendase është në pikën më kritike. Sipas të dhënave të fundit të KESH, niveli i Fierzës është në kuotën 259.5 metër ose rreth 13 metër mbi pikën e vdekjes, ndërsa prurjet kanë zbritur në minimumin historik vetëm në 35 metër kub për sekondë. Nga ana tjetër konsumi ditor është rreth 23 milionë kilovatorë në ditë, 17.5 milionë nga të cilat importohen nga KESH dhe CEZ shpërndarje dhe pjesa tjetër 5.5 milionë kilovatorë prodhohet në vend. Ndërkohë që edhe situata në import paraqitet mjaft e ndërlikuar për shkak se i gjithë rajoni ka kaluar në import për shkak të mungesës së reshjeve.
Situacioni i djeshëm i furnizimit me energji
Konsumi ditor 23 milionë kë/h
Importi nga KESH dhe CEZ 17.5 kë/h
Prodhimi vendas 5.5 milionë kë/h
Kuota në Fierzë 259.5, ose 13.5 mbi pikën e vdekjes
Prurjet 35 m3 për sekondë