Çmimi i energjisë, ja skenarët për rritjen
Sokol Ramadani, kreu i ERE-s, pas seancës dëgjimore me kompanitë e energjisë ka pohuar se kërkesat e tyre për rritjen e çmimit të nuk do të merren totalisht parasysh. Ja nivelet e reja të mundshme të tarifave të energjisë për 2012-n
Enti Rregullator i Energjisë nuk do të marrë në konsideratë totalisht kërkesat e kompanive KESH, CEZ dhe OST për rritjen e çmimit të energjisë. Sokol Ramadani, kreu i ERE-s, pas seancës dëgjimore të zhvilluar dje me kompanitë për rritjen e çmimeve gjatë periudhës 2012-2014, ka pohuar se kërkesat e tyre për rritjen e çmimeve nuk do të merren totalisht parasysh. Kompania çeke CEZ shpërndarje kërkon rritjen e çmimit të energjisë, duke thënë se situata financiare e saj është e vështirë. Drejtues të lartë të kësaj kompanie deklarojnë se, nëse i falen borxhet shtetërore, që kjo kompani i ka KESH-it, një shumë prej 55 milionë eurosh, atëherë kërkesa për rritjen e tarifave do të jetë zero. CEZ shpërndarje ka kërkuar që tarifa mesatare e energjisë për vitin 2012 të rritet 4.6 për qind. Për herë të parë këtë vit, CEZ ka kërkuar rritjen e tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë poshtë fashës 300 kilovatorë. Nga 7.7 lekë që është çmimi i një kilovati aktualisht, CEZ ka kërkuar që për vitin 2012 ky çmim të jetë 8.06 lekë. Ndërsa për familjarët që konsumojnë më shumë se 300 kilovat orë në muaj çmimi është propozuar 14.16 lekë nga 13.5 lekë për kilovat që është aktualisht. Në tërësi për konsumatorët CEZ ka kërkuar një rritje çmimi më pak se mesatarja 4 për qind që ka kërkuar në tërësi për të gjitha kategoritë. Kështu rritja e çmimit është kërkuar për të gjitha kategoritë, duke nisur nga 0.5 lekë deri në 1 lekë për kilovat, sipas kategorive. Tarifat e propozuara nëse miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë do të kenë vlefshmëri deri më 2014. Pas këtij viti, kërkesa për çmimin do të shqyrtohet një herë në tre ose pesë vjet. Por nëse merret në konsiderate kërkesa e CEZ, çmimi i energjisë do të rritet me 0.3 lekë për konsumatorët poshtë fashës 300 kilovat dhe 0.6 lekë ose dyfishi për ata që konsumojnë mbi fashën 300 kilovat në muaj. Në fakt në CEZ ka kërkuar rritje të energjisë për konsumatorët familjarë më pak se 3 për qind dhe nëse ERE miraton vetëm gjysmën, siç la të nënkuptojë dje, çmimet për konsumatorët familjarë do të rriten me 1.5%. Për shembull nëse një familje paguan 10 000 mijë lekë në muaj me çmimet e reja do të paguajë 10 150 lekë. Po ashtu, edhe KESH kërkon rritjen e çmimit nga 1.48 lekë në 5.05 lekë ose mbi 230 për qind më shumë OST kërkon rritjen e çmimit nga 0.6 lekë në 0.73 lek për kë. Vendimi i ERE-s pritet në fillim të dhjetorit, kurse tarifat e reja të energjisë nëse vendoset rritja e tyre priten të hyjnë në fuqi në fillim të janarit.
KATEGORITË TARIFA AKTUALE PROPOZIMI 2012
KLIENTË TË FURNIZUAR NË TU SIPAS KATEGORIVE:
• Industri: 10.50 11.33
• Tregti & Shërbime: 12.20 13.14
• Furra buke & Prodhim mielli: 7.60 8.26
• Bujqësi : 10.50 11.33
• Të tjerë : 12 12.92
• Buxhetore: 14 15.04
• FAMILJARË:
-Blloku i Parë – deri në 300 këh – 7.7 8.06
-Blloku i Dytë – mbi 300 këh – 13.5 14.16
KESH: Çmimi ndaj CEZ të rritet në 5.05 lekë
"Tarifa mesatare e furnizuesit publik me shumicë, e cila është e nevojshme për të mbuluar kostot e blerjeve të energjisë, për mbulimin e plotë të kërkesës së konsumatorëve fundorë, është rreth 5.05 lekë për kilovatorë. Peshën kryesore të kësaj tarife e zënë kostot e blerjes së energjisë elektrike, të cilat cojnë një tarifë rreth 4.03 lekë", tha Artur Kurti, drejtor Ekonomik i KESH-i
OST: Importi dikton tarifën 0.73 lekë
"Bazuar në shpenzimet operative, totali i të ardhurave të kërkuara nga OST-ja është në vlerën 4 miliardë e 615 milionë lekë, cka do të thotë që i pjesëtuar me sasinë e energjisë të transmetuar gjatë këtij viti do të thotë që OST-ja kërkon një tarifë të re në 0.73 lekë për kilovatorë", tha Zybie Xheka, drejtore ekonomike e OST-së.
CEZ: Ja dy variantet për çmimin e 2012
Variant i parë është një rritje e tarifës për CEZ-Shpërndarje me 4.6 për qind nga ajo aktuale, rritje e cila bazohet në llogarite e studimit që në kemi bërë. Por ne po propozojmë edhe një variant tjeter. Një rritje me 0 për qind, e përsëris zero për qind, pra asnjë rritje çmimi, nëse borxhi mes CEZ dhe shtetit dhe CEZ dhe KESH-it do të gjejë një zgjidhje përfundimtare ashtu siç pritet nga të gjitha palet", tha Joseph Hejsek, drejtor i përgjithshëm CEZ-Shpërndarje