E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Kreu i PD: "Topi smund të diskutojë një vendim gjykate"

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha kundërshton ndërhyrjen e Presidentit për të zgjidhur krizën politike në vend. Sipas tij, as Kreu i Shtetit nuk mund të dalë mbi gjykatat. “Ai është kryetar i KLD-së dhe nuk mund të pranojë kurrë të negociojë një vendim gjykate. Vendimi i gjykatës është i panegociueshëm. Ne i kemi bërë një propozim serioz opozitës, e cila duhet ta shqyrtojë atë me gjakftohtësi”, - ka shtuar Berisha, në një intervistë për VOA. Më tej, ai i ka bërë thirrje opozitës që të respektojë vullnetin e qytetarëve shqiptare më 28 qershor. Berisha është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me PS-në, e cila sipas tij, po bën një gabim “historik”. “Ekziston vlerësimi më i madh për opozitën dhe rolin e saj, si dhe një vendosmëri e plotë për bashkëpunim me opozitën për reformat, por po aq të vendosur jemi në respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve. Krerët e opozitës janë kyçur në një gabim madhor historik, mosnjohjen e vullnetit të lirë të qytetarëve”,- ka pohuar Berisha. Kryeministri ka theksuar se opozita është e detyruar të luajë rolin e Kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili, sipas tij, është i vetmi që nuk njeh zgjedhjet dhe konteston Parlamentin. Ai ka përsëritur ftesën që PS të kthehet në Parlament, duke shprehur gatishmërinë për një komision hetimor për zgjedhjet, por jo për të shkelur vendimet e gjykatave. “E ftoj opozitën të vijë në Parlament, të vendosur për të gjithë hetimin që opozita kërkon, përveç vendimit të gjykatave. Në këto zgjedhje askush nuk ka humbur, sepse ato ishin të parat që nxorën vendin nga lista e zezë për zgjedhje problematike”, - ka pohuar më tej Kryeministri.

Ky lajm është publikuar: 15/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›