Kriza, Meta: Mazhoranca e hapur për dialog
TIRANË - Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe njëherësh zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi sërish dje se ofertat e mazhorancës për të gjetur gjuhën e dialogut me opozitën mbeten konkrete.
Në një konferencë për shtyp, në selinë LSI-së, Meta u shpreh se mazhoranca do të jetë e hapur për dialog, madje, sipas tij, duke përfshirë në këtë proces edhe gupe të tjera të interesit në vend. "Vullneti ka qenë dhe është gjithnjë pozitiv, ofertat kanë qenë konkrete dhe mbeten të tilla, përderisa çështjet që shtrohen kanë qenë dhe janë konkrete.
Kështu që në këtë drejtim, jo vetëm që mazhoranca do të jetë gjithnjë e hapur për dialog dhe bashkëpunim me opozitën, por pa asnjë diskutim me gjithë grupet e tjera të interesit në vend, sepse dialogu është një proces shumë më i gjerë sesa thjesht dhe vetëm Parlamenti", - tha dje Meta.
Arritja e konsensusit politik, sipas Metës, duhet të ndërtohet edhe mbi parimet dhe qëndrimet e përbashkëta që bashkojnë mazhorancën dhe opozitën, siç është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Por, sipas Metës, ky dialog nuk duhet të prekë pavarësinë e institucioneve, duke lënë të kuptohet qartë se nuk do të pranohet kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit, që sipas mazhorancës nënkupton daljen mbi vendimin e gjykatave.
"Dialogu në çdo rast ndërtohet mbi disa parime dhe qëllime të përbashkëta. Në këtë drejtim unë mendoj se dialogu në çdo rast i ka të gjitha mundësitë për të qenë i shëndetshëm dhe si suksesshëm.
Gjë që do të thotë se kur qëndron mbi parime të tilla, ku parimi kryesor është ai i shtetit ligjor, respektimit të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, dhe ku qëllimi i përbashkët mbetet gjithnjë përshpejtimi i integrimit evropian të vendit...", - nënvizoi ai.