Kriza, PD në pritje të ofertës së PS
Kanë kaluar katër ditë nga nisja e negociatave PD-PS dhe ende nuk ka asnjë zgjidhje për krizën.
Pas takimit të së mërkurës mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Ruçi e Patozi, ku ata shpallën publikisht pozicionet e tyre, palët janë tërhequr në godinat respektove, për të dalë në fund me një shtrëngim duarsh. Dy ditët e fundit kanë qenë mjaft intensive për socialistët. Dje në selinë rozë, kreu i grupit të deputetëve Gramoz Ruçi ka qenë në konsultime të gjata me sekretarin Ligjor në PS, Fatmir Xhafaj. Adresimi për në Komisionin e Venecias, lidhur me fatin e fletëve të votimit, është pika që nuk po i jep zgjidhje ngërçit politik. Socialistët kërkojnë që komisionit të Venecias t'i drejtohet komisioni hetimor pas ngritjes së tij, përmes Kryetares së Parlamentit, ndërsa demokratët kërkojnë që një kërkesë e tillë duhet të bëhet vetëm nga socialistët, përmes Gjykatës Kushtetuese. Burime nga PD pohojnë se pozicioni i tyre është bërë i qartë që ditën e parë të takimit, ku janë pranuar pikat e rezolutës së Parlamentit Europian dhe është ritheksuar se hetimi i zgjedhjeve përmes komisionit të ri hetimor duhet të bëhet përmes materialeve zgjedhore, në zbatim të pikës 6 të nenit 178 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit fletët e votimit duhet të asgjësohen. Lidhur me fatin e fletëve të votimit, demokratët shprehen se u kanë dhënë socialistëve opsionet e tyre, që janë adresimi në Gjykatën Kushtetuese e më pas në komisionin e Venecias, ose nisja e hetimit të materialeve zgjedhore, duke djegur fletët e votimit. Pritet që takimi i ardhshëm, Ruçi-Patozi të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, ku socialistët do të tentojnë edhe një herë të bindin demokratët, që t'i drejtohen bashkarisht komisionit të Venecias, pas nisjes së hetimit të materialeve zgjedhore nga komisioni i ri hetimor parlamentar, që ata do të ngrenë. Në fakt, java që vjen është e fundit për aktivitetin e Parlamentit të Shqipërisë, pasi pritet që deputetët dhe bashkë me ta dhe administrata e Kuvendit të nisin pushimet verore. Por dhe nëse palët bien dakord për ngritjen e komisionit hetimor, ai do të nisë nga puna vetëm në muajin shtator, pas pushimeve verore të deputetëve.