E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valixhja perfekte e pushimeve



Pak ditë para nisjes, femrat kapen nga paniku se çfarë duhet të marrin me vete në valixhen e pushimeve. Rrinë me orë të tëra përpara dollapit të rrobave, me dilemën se sa fustane, bluza, pantallona... duhet të marrin me vete. Po të ishte e mundur, gjithë dollapin, por ja që nuk mund të marrin me vete një maune. Kështu që duhet të zgjedhin, por nuk është e lehtë. Në ndihmë vijnë ca këshilla se si mund të përgatitet një valixhe perfekte, ku të ketë pak gjëra e të mos mungojë asgjë.

Si të përgatisësh valixhen perfekte

1.Në fund të valixhes vendosim pantallonat dhe fundet,
pa i palosur, duke i lënë jashtë valixhes.
2.Mbi pantallonat vendosim xhaketat dhe fustanet.
3.Palosim bluzat dhe rrobat e brendshme, duke i rrotulluar. Vendosim çorapet në jakat e këmishave.
4.Palosim pjesët e mbetura jashtë valixhes. Rripat e lëkurës, nuk rrotullohen kurrë, por i vendosim përgjatë anëve të valixhes.
5.Këpucët të futura secila nëpër qese më vete dhe objektet e rëndë, duhet të vendosen në anën e kundërt me dorezën e valixhes.
6.Përdorim xhepat e brendshëm për shajet, aksesorët dhe objekte të tjera të vogla. Nuk duhen vendosur shishe, apo spray në valixhe bashkë me rrobat, pasi kjo mund të jetë me rrezik. Duhet përdorur një çantë, apo një mbajtëse për gjërat e tualetit.

Hapja e valixheve

Sapo të mbërrini, merruni me valixhet dhe varni rrobat sa më parë të jetë e mundur. Sa më pak të rrinë në valixhe, aq më mirë është. Doni të dini një hile? Varini rrobat në banjë me ujin e hapur në dush ose në vaskë, me derën mbyllur. Mjaftojnë vetëm 15-20 minuta dhe do të jeni gati për të dalë.

çfarë nuk duhet të bëni jashtë shtetit

Si duhet të sillet një grua që duhet të ruajë kudo etiketën dhe të qëndrojë larg problemeve? Duhet t’u vërë më shumë veshin zakoneve e traditave. Nëse Samanta e famshme e “Sex and the City” do të dinte ca gjëra mbi Abu Dabin, mbi banorët dhe zakonet e tyre, nuk do të përfundonte në polici për “sjellje të turpshme” në serinë që u shfaq vetëm pak kohë më parë edhe në kinematë e Tiranës. Duhet të dish si të vishesh, ku të zhvishesh, të respektosh fenë e vendasve, të kesh një fjalor rezervë me fraza që mund të përdoren në raste emergjence dhe në rast pasigurie të drejtohesh në shërbime të sigurta transporti.

Veshje e përshtatshme

Nëse është e rëndësishme të dihet se si të zhvishesh, është edhe më tepër të dish se si të vishesh. Sidomos për gratë që udhëtojnë për punë, është mirë të dinë zakonet e vendeve ku po shkojnë. Duke ndjekur këshillat e “global etiquette”, propozuar nga Mark McCrum, në librin e tij “Going Dutch in Beijing”, një veshje më “modeste” kërkohet në Kinë, Japoni, Rusi dhe Lindjen e Mesme. Nuk bëhet fjalë për të hequr dorë nga shija e mirë dhe të veshësh veshjet e zonës. Si gjithmonë, mjafton pak mirëkuptim, duke mbajtur, mundësisht, gjunjët dhe shpatullat e mbuluara, të mbyllësh këmishat, që të mos krijosh dekolte provokuese.

Ngjyrat

Por edhe ngjyra e rrobave ka rëndësinë e vet. Nëse në Azi, preferohen më së shumti ngjyrat “neutrale”, në Argjentinë, moda më e ndjekur është ajo e veshjeve me ngjyra të ndezura.

Taksitë rozë

Në fakt, një nga momentet, kur gratë ndihen më të pambrojtura, është nata dhe rruga për në hotel, vetëm, mund të krijojë ndonjë problem. Për të evituar situatat e pakëndshme dhe ndoshta pasigurinë për të hipur në taksinë e një të panjohuri, në disa vende është aktivizuar një shërbim “vetëm për gra”. Bëhet fjalë për taksitë pink, apo rozë, që qarkullojnë prej disa kohësh edhe në Itali, që garanton një drejtuese grua, apo ulje të veçanta. Nën shembullin e Londrës, shumë vende kanë ofruar këtë shërbim dhe pas “Banettaxi”, apo taksive për vajza në Bejrut, e morën radhën Puebla në Meksikë, Kajro, Dubai e Teheran. Një modë që po përhapet me shpejtësi, aq sa për të po flitet edhe në Hebron, në zemër të tradicionalistes çisjordani. Siguria e grave duket se është një “lëvizje” që kalon çdo kufi.

Ku të zhvishesh

Nëse ka vende si Mbretëria e Bashkuar, ku tabloidët e famshëm, si “The Sun”, i dedikojnë modeleve topless një rubrikë më vete, ka vende si Brunei, Indonezia, Malajzia, ku të dalët topless është një tabu. Edhe në shtetin e vogël të Goa-s, pavarësisht se është i njohur për plazhet e tij, Qeveria së fundmi ka nxjerrë një rregullore, që kufizon shfaqjen me gjoksin jashtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›