Ramiz Alia, llogari në Kuvend
Ish udhëheqësi komunist, Ramiz Alia, do të thirret në Kuvend për të dhënë llogari mbi Masakrën e Tivarit.
Maxhoranca do të ngrejë javën e ardhshme Komisionin Hetimor Parlamentar, ku për një periudhë 1-vjeçare do të hetojë mbi përgjegjësitë e shtetit shqiptar komunist, si dhe të individëve, për masakrën ku mendohet se kanë humbur jetën 4 300 shqiptarë. Deputetët e djathtë kanë nisur përgatitjen e agjendës së komisionit hetimor, dhe në të është përfshirë edhe seancë dëgjimore me ish-udhëheqësin komunist Ramiz Alia. Ish komisari politik i Brigadës së 5-të sulmuese, Alia, e cila mori pjesë në luftime në territorin e ish-Jugosllavisë, akuzohet se është i përfshirë në këtë masakër. Trupa shqiptare partizane janë përfolur gjithnjë se ndihmuan aleatët komunistë jugosllavë, në masakrimin e shqiptarëve që jetonin në trojet etnike, të cilët ishin partizanë por u ekzekutuan vetëm për shkakun se ishin shqiptarë. Ndërkaq, deputetët e maxhorancës do të pyesin Ramiz Alinë mbi rolin e tij në krye të Brigadës së 5-të, si dhe për qëndrimin e shtetit komunist në këtë ngjarje. Por Alia nuk do të jetë i vetmi personazh që do të thirret të japë llogari. Deputetët e djathtë kanë menduar që të organizojnë seanca dëgjimore edhe me ish zyrtarë të lartë të sistemit komunist, ish partizanë në brigadat partizane që morën pjesë në luftime në Jugosllavi, si dhe historianë të ndryshëm nga Shqipëria e Kosova. Nga ana tjetër, pritet të ketë edhe dëshmi nga dëshmitarë okularë, si dhe të mbijetuar nga kjo masakër, e cila konsiderohet nga masakrat më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, të ndodhur në Ballkan. Mësohet se javën e ardhshme, komisioni hetimor do të mblidhet për herë të parë dhe në një periudhë 1-vjeçare do të hetojë mbi masakrën e Tivarit. Maxhoranca pret edhe opozitën që të ulë anëtarët e saj në këtë komision parlamentar, që do të drejtohet nga deputeti Fatos Beja. Deputetët e këtij komisioni, të shoqëruar nga ekspertë e historianë, do të udhëtojnë drejt Malit të Zi, Kosovës e Serbisë, dhe me ndihmën e parlamenteve të këtyre vendeve do të hulumtohet sa të mundet në arkivat e tyre për këtë masakër. Opozita nuk është shprehur dakord për këtë komision hetimor, pasi sipas deputetëve të PS-së, komisioni po përdoret politikisht.