E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga ditari i pushimeve të Margarita Xhepës



Megjithëse duhet të ishte më e shplodhur se asnjë ditë tjetër, Margarita Xhepa, pas pushimeve në Kavalishencën e Durrësit kthehet e ngarkuar emocionalisht. Na tregon për 10 ditët që ka kaluar atje, miqësitë e reja, detin e dashur, dhe gjithë ç’i ndodhi ditëve të para të korrikut...

Margarita Xhepa, nuk duroi të kalonin më shumë se dy ditë për të ndarë me ne emocionet e përjetuara në 10 ditët që kishte pushuar në Kavalishencën e Durrësit. Sepse ishin për të 10 ditë të tejmbushura me emocione, 10 ditë krejt ndryshe nga ç’i kishte menduar. Ishin ditë, gjatë të cilave ajo vetë as që do ta mendonte se do prekej aq shumë, se do të mendonte aq gjatë, edhe pse plani ishte krejt tjetër, për të pushuar, për t’u çliruar nga rëndesa e mendimeve. Aq e mbushur sa u kthye me ndjesi pozitive por edhe me keqardhje, nuk priti gjatë për t’i ndarë përjetimet me të gjithë...

Ditëve të pushimeve, pret me padurim që ta heqësh spinën nga priza që të ka mbajtur në korent me ditët e gjata të dimrit, e sidomos, nga ato të fundit të parapushimeve, që duken sikur nuk mbarojnë kurrë deri sa vjen data që ke prerë biletën. Këtyre ditëve, arrin ta prekësh me fantazi çlodhjen, qetësinë, edhe pse, jo gjithnjë, planet dalin ashtu siç i ke parashikuar. E ku ta dinte Margarita Xhepa që përveç se do shijonte detin që e do aq shumë, do të mbushej me aq emocione sa nuk i kishte provuar gjatë një viti të tërë. Kur i erdhi lajmi, nga një mikeshë e saj, se edhe këtë vit do të pushonte për 10 ditë në Kavalishencën e Durrësit, atë shtetëroren e dikurshme që ka mbetur krejt si më parë, vetëm lulet e gjelbërimi është shtuar, sikur u rehatua. Bashkë me të motrën, e hoqën merakun e pushimeve të këtij viti. Me valixhet gati, morën rrugën drejt një udhëtimi që nuk do të ishte krejt siç e kishin parashikuar...

“Emocioneve nuk u shpëton dot asnjëherë, për më tepër që ndjeshmëria e artistëve është më e madhe”. E që të flasë për emocionet, një aktore e mirënjohur si ajo, që ka kaluar shumë të tilla në skenë e në jetë, duhen përjetime të forta. Kur tregonte për to, nuk i referohej as detit të dashur që nuk e kishte parë prej kohësh, as kopshtit të bukur plot gjelbërim të Kavalishencës që shpesh i ngacmonte kujtesën, e as atij ushqimit të mirë nga duart e Mendit që për 10 ditë me radhë do shijonte. Ishin emocione, krejt ndryshe, nga ato të fortat që edhe kur i tregon, nuk mund t’i fshehë dot lotët. Sado që, i gjithë ekipi i punës atje, me Luanin e Besnikun në krye përpiqeshin pafund si e si që vetëm lot të mos kishte atyre ditëve.
“Sapo zbres në hollin e hotelit, bashkë me time motër për të marrë rrugën e plazhit, në një kënd, shoh disa gra bashkë me fëmijët, të gjitha të veshura në të zeza. Më bëri kurioze kjo gjë dhe nuk ngurova të afrohem e t’i pyes se prej nga vinin, kush ishin këto gra që nuk ndaheshin prej njëra-tjetrës, po rrinin të veçuara, pa u ndarë asnjëherë!? Mësova prej tyre që ishin gratë dhe fëmijët e 10 policëve të vrarë në krye të detyrës. Ministria e Brendshme, i kishte bërë tok e iu kishte dhuruar këtë paketë pushimesh”.
Që nga ky çast, pushimet e Margarita Xhepës sikur morrin rrjedhë tjetër. Pas fjalëve të njërës nga vajzat që i ishte përgjigjur e përlotur “më duket sikur këto pushime m’i ka dhuruar babi”, ditët e saj nuk do ishin siç i kishte menduar, e ulur në shezllong, me një libër a gazetë përpara, me aromën e detit përherë nën hundë. Tanimë, ecejaket brenda zonës nuk do kishin të sosur. I gjithë kampi mori pamjen e një shtëpie të madhe ku gjithë pjesëtarët jepnin e merrnin njëri me tjetrin.
Natyrisht që prania e aktores, ishte një emocion më shumë për të gjitha ato.
“Qëndronim gjatë bashkë, dilnim fotografi, bisedonim, madje më vinte çudi përveç ndjesisë së mirë që më krijohej që të gjitha ato më kujtonin batuta filmash që edhe mua më duhej pak kohë për t’i ndërmendur. Uroja gjithnjë ato ditë, të mund t’ua falnin çdo vit këtyre grave (Fiqiretit, Myzejenit, Terezës) dhe fëmijëve të tyre këto ditë ndryshe nga jeta rutinë e vendeve prej nga vinin. Ne artistët jemi aq të varfër sa s’mund të bëjmë për ta gjë tjetër, veç këtij urimi”.
Por nuk ishte e thënë që të përgjatë këtyre ditëve të kishte vetëm përjetime të mira. çdo mëngjes, tek kalonte qosheve e rrugicave të ngushta të kopshtit plot lule, Margarita shihte mirëmbajtësin e tyre si fliste me to. “Më nderuat bukuroshe - u pëshpëriste”. Deri këtu, deri në dashurinë e këtij njeriu që tregonte ndaj punës, gjithçka shkonte mirë. Ajo vetë ndihej plotë, gjithë mesazhe. S’pushonte së përsërituri pas kthimit se duhet t’i gjejmë njeriun punës e jo punë njeriut. Po nuk ishte e thënë të zgjaste më shumë. Një prej mëngjeseve të atyre ditëve, kopshtari ishte larguar nga jeta, e bashkë me të, sikur kishin varur kokën edhe lulet e kopshtit me të cilat ai bisedonte dhe kishin pushuar zogjtë që e shoqëronin”.
Edhe pse kishin mbetur edhe pak ditë pushimesh pas largimit të tij, asgjë nuk ishte më si më parë. Përshëndetjet mëngjeseve mungonin, monologjet e Rexhepit, dukeshin sikur pëshpëriteshin ende në ajër. Qindra krijime në poezi a prozë që kishin kaluar prej fytit të saj ndër vite karriere, vinin e i riktheheshin në ato pak orë kur përveç se do përshëndetej për herë të fundit me mikun e saj të ri, do duhej t’u thoshte mirupafshim edhe gjithë mikeshave që i kishin dhuruar kaq shumë përjetime. I kishin kujtuar poezinë e të birit, epitafin e ti për njërin nga policat që tek Margarita e recitonte dhe përmendi emrin e tij, nuk mundi të shmangë lotin e njërës nga mikeshat e saj të reja... “Pabesia, palo thjeshtër, bijë kurrsesi/ mos ma vrit policin mjeshtër, ditën mos ma nxi)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›