E Shtunë, 31 Tetor 2026

Waltraud Bejko: Jeta ime shqiptare, nën kontrollin e partisë



Copëza nga jeta e një gjermaneje në Shqipëri. çapitjet e saj nëpër qytetet e fshatrat, ku e degdiste Partia bashkë me të shoqin e fëmijët. Përkthyesja e gjuhës ruse, Waltrud Tunger Bejko ka hedhur në letër gjithë jetën e saj për t’ua lënë kujtim nipërve e mbesave të saj. Bashkë me nënshtetësitë gjermane, u lë dhuratë kujtimet nga peripecitë e një jete, që e përballte përherë me qindra pikëpyetje e zhgënjime. ç’ka ndodhur me jetën e saj? Si mbërriti në Shqipëri për të ndjekur pas të dashurin e zemrës që njohu në Moskë, kontaktet e para, përjetimet e këqija e të mira në 37 vite të gjata. Si shfaqeshin në sytë e gjermanes së re absurditetet e kohës së komunizmit, por edhe të mentalitetit shqiptar, si mblesëritë, martesat, marrëdhëniet e çiftit, planifikimi familjar, seksi i “turpshëm” para martese. Gjithçka në librin me kujtime "çapitjet e mia nëpër Shqipëri”. Herë plot trishtim, e herë me doza humori, vijnë sot si dëshmitë e një kohe, që sot na duket e largët, por që ka rënduar aq shumë në jetët e shqiptarëve.

Njohja me studentin Shqiptar
Në vitin e parë të studimeve në Moskë takova për herë të parë djaloshin shqiptar Ilmi Bejko, i cili studionte bashkë me mua në të njëjtin kurs. Pas momentit të parë të takimit, secili ndoqi udhën e tij, deri në mbrëmjen e Vitit të Ri më 1957-ën, kur rrugët tona u kryqëzuan sërish. Sa më kujtohet, Ilmiut i duhej një damë për të festuar mbrëmjen te shoku i tij i ngushtë. Në fillim mu duk si aventurë e madhe, deri atë kohë unë e kisha festuar Vitin e Ri me shokë e shoqe gjermane dhe ruse. Kjo mbrëmje ishte hapi i parë i njohjes sonë të mëtejshme. Pastaj, lehtësia e vitit të katërt të studimeve, na lejonte më shumë kohë për argëtime. Kështu, organizova shëtitjen e parë me Ilmiun për në Bashkimin Sovjetik. Më vonë, në kohën e praktikës u afruam më shumë. Bënim çdo gjë bashkërisht dhe merreshim vesh për bukuri. Prandaj, vendimi për të mos u martuar me një shqiptar filloi të thërrmohej. Fillova të bindesha se me Ilmiun mund të isha e lumtur dhe mendova se mund ta kisha guximin të jetoja në atdheun e tij të prapambetur. Shumë gjëra, nuk i parafytyrova të lehta, por kur njeriu është i ri, mendon se çdo gjë që fluturon, hahet. Kishim dhe të njëjtin specialitet kështu që mund t’i rrija pranë me vepra e me fjalë.

Si i kemi bindur prindërit për bëmat tona
Kur ishim në praktikë, Ilmiu u shkroi një letër rusisht prindërve të mi, në të cilën u kërkonte dorën time, unë e përktheva. Si do ishte përgjigjja? Siç e prita, na erdhi një letër e gjatë e shkruar nga nëna ime. Ajo sqaronte se kjo gjë nuk mund të bëhej. Nga gjithë ajo letër unë mbaja mend akuzën që i bënte Ilmiut se i kishte prishur mendjen vajzës së saj. Kohët në vijim vazhdonim të shkëmbenim letra qetësuese, duke u thënë se nuk do bënim gjë pa miratimin e tyre. Deri sa erdhi koha që të takoheshim. Pas disa muajsh, kur duhet të vendosja ata dhanë pëlqimin duke e gjykuar moshën time si të përshtatshme për të vendosur. Por nga ana tjetër edhe Ilmiu dyshonte nëse mund t’i bindte prindërit. Vëllai i tij ishte vrarë nga një pushkë gjermane. A nuk do të hapja unë plagët e luftës së mbyllur me zor? Nga pala shqiptare erdhi një kushëri i Ilmiut për të vlerësuar situatën. Pas njohjes dhe bisedave që bëmë me të, dukej që testi kishte dalë mirë. Pas njëfarë kohe, Ilmiu tha se duhej t’i bënim një lutje Kuvendit Popullor që të miratonte martesën tonë.

Mbërritja në Shqipëri
Ditën time të parë në Tiranë e jetova më 28 gusht 1959. Ishte një ditë historike për mua, sepse një ditë e re më priste përpara. çfarë do të më sillte ajo? E dija që nuk do ish e sheqerosur, Ilmiu m’i kishte treguar vështirësitë madje më keq se ç’ishin në të vërtetë. Unë nuk e dija fare gjuhën shqipe, megjithëse Ilmiu m’i kishte mësuar disa fjalë e më kishte dërguar gazeta.
Mëngjesi im i parë kërkonte procedura më vete. Ilmiu më ndihmoi, më hodhi ujë me kanë dhe unë, me duart e bëra si kosh laja sytë. U lava në oborr, sepse brenda nuk kishte çezmë, ose muslluk.
Kur erdha në Shqipëri, në ’59-ën, dyqanet, sidomos ato private, ishin plot. Shkoja vetë për të blerë qumësht që kishte me bollëk. Buka ishte shumë e shijshme. Kishte gjalpë të freskët, djathë të bardhë, kaçkavall, reçel, mjaltë, arra. Kasapët e prisnin mishin në rripa të gjatë dhe e varnin në dyqanet e tyre çdo ditë. Por nuk zgjati shumë dhe këto dyqane u pakësuan deri sa u zhdukën. Mundësitë për të gatuar ishin shumë të vështira. Shumë gra gatuanin në oborr mbi një zjarr të hapur. Si gjermane, i pëlqeja shumë patatet, për të cilat në dyqane kishte shumë radhë. Duhej të mësohesha me ushqime të reja, si ullinjtë. Kisha provuar në Moskë, por nuk më pëlqenin. Si t’ia bëja tani, ato ishin nga ushqimet kryesore të shqiptarëve. Erdhi koha kur buka nuk mjaftonte më. Dëgjohej tek- tuk se Bashkimi Sovjetik e kishte ndërprerë furnizimin e Shqipërisë me grurë. Morëm vesh më pas se kishin nisur mosmarrëveshjet midis udhëheqësve të partive të dy vendeve. Pas kësaj fshatarët kanë vuajtur shumë nga mungesa e bukës së grurit. Edhe pse e rrisnin vetë nuk mund ta hanin. Në dimër, në fshat hahej vetëm bukë misri.

Kthimi në Gjeramni
Në pranverën e vitit ’60 u ndesha me një vështirësi të madhe. Ilmiu erdhi e më dha një lajm të keq. Në pushimet e verës nuk mund të shkonim bashkë në Gjermani. Unë i gëzohesha prej kohësh sepse mund të festonim celebrimin tonë edhe atje. Sot kur lexoj a dëgjoj për kohën e shkuar, mendoj se në çfarë gremine na ka shkuar jeta! Kaluam disa peripeci deri sa rregulluam udhëtimin.
Nuk kish kaluar shumë kohë pas kthimit dhe vumë re që u zhdukën fotografitë e Hrushovit nga muret e Teknikumit Bujqësor të Fierit. Enver hoxha filloi të mos i bindej “shkopit dirigjent” të tij.

Për mblesëritë dhe mardhëniet dashurore
Jeta dashurore para martesës dikur mungonte. Sipas sime vjehrre, krijimi i marrëdhënies me një partner të gjinisë tjetër ishte i pamundur. Ky do ishte turp i madh që do t’i binte gjithë familjes e fisit. Vjehrra më pat treguar për një çift të ri që e patën detyruar të hapte varrin e vet para se ta varrosnin. Më bëhej trupi mornica nga këto tregime dhe tani që i kujtoj dyshoj për vërtetësitë e tyre. Në fejesa, ‘shkesi’, kishte funksion të rëndësishëm. Rinia nuk kishte asnjë mundësi për t’u njohur. Fshatrat ishin larg njëri nga tjetri dhe përmblidhnin zakonisht fise. Miqësitë duhet të bëheshin me rajone më të largëta. Këtë e bënte një ndërmjetës i huaj që dinte të lavdëronte cilësitë e tjetrit. Pasi të rinjtë bënin parjen përgatitej njoftimi i fejesës.
Ndërhyrja në jetën intime të familjeve ishte bërë rrugë dhe ndiqej nga organet më të larta të Partisë. I konsideronin këto ndërhyrje në të mirë të edukimit të njeriut të mirë socialist. Në ndërmarrje organizoheshin mbledhje dhe në lagje banorët jepnin llogari për qëndrimin e tyre privat. Edhe drejtuesit jepnin llogari përpara punëtorëve.

Jeta jonë në Fier, kushtet e banimit dhe gjendja financiare
Si mësuese rusishteje në Teknikumin Bujqësor e kisha rrogën mujore 680 lekë. Pas 5 vitesh punë në ’64-ën mu rrit deri në 690 neto deri në ’69-ën, që më shkoi 754 lekë. Fëmijët po rriteshin, sendet ishin shtrenjtë. Përpiqesha të bëja ekonomi në të ngrënë po nuk ishte e lehtë duke qenë që nuk kishim frigorifer. Pasoja katastrofike solli miratimi i Kushtetutës së Re që i ndalonte Shqipërisë marrjen e kredive nga jashtë. Tani vendi duhej të zhvillohej me forcat e veta. Shqipëria i vinte kufij progresit botëror. Kjo ishte një megalomani që ishte e destinuar të dështonte. Por udhëheqja nuk dorëzohej pavarësisht nga çmimi i lartë që i kushtonte primitiviteti i këtij drejtimi. Harxhet i paguante populli. Shqipëria vraponte për të shkuar në socializëm. Për të arritur këtë objektiv, PPSH-ja shpiku aksionet me të cilat vuri përpara shtresat e gjera të popullit. Aksionet u vunë në rend të ditës. Po ku shkonte i gjithë ky akumulim i punës së pa pagur të fshatit dhe qytetit?!

Pushimet
Në vitet ’60, plazhi i Semanit ishte rajoni kryesor i Fierit për t’u çlodhur dhe u bë modë për të kaluar pushimet atje me gjithë fanatizmin që ekzistonte. Kabinat ishin pa komoditet, jetonim si ciganë, por kishte rërë, det dhe diell. Kapanoni i gjatë me shumë kabina qëndronte mbi rërë, i cili ishte shoqëruesi ynë meqenëse frynte erë. Kohën e kalonim në mënyrë krejt orientale, në dysheme, pra, bënim një jetë që s’isha mësuar e që më mundonte. Në vapën e korrik- gushtit donim të rrinim nën hijen e pemëve që mungonin. Qyteti i Fierit bëri disa herë përpjekje për të krijuar një pyll të vogël, por pa sukses. Në vitin ’65 shkuam për të pushuar në Piqerras. Rrallëherë jam çlodhur aq mirë si në atë fshat të bukur. Por kur shkoje me pushime duhet të përgatiteshe edhe për gjëra jo të këndshme. Për shembull energji elektrike kishte vetëm në mbrëmje nga ora 17:00 deri në 23:00 dhe ky ishte një orar i privilegjuar.

Mbi seksin dhe masat preventive
Gjëja e parë që më ra në sy në Shqipëri ishin rrugët e mbushura plot me fëmijë. Mora vesh se një nga problemet ishte ai i shumë fëmijëve. Gruaja e vëllait të Ilmiut kishte 12, nga të cilët jetonin 9. Shumë veta vinin te ne për t’u këshilluar, u tregonim për ditët e parrezikshme, si bënim vetë duke i kombinuar me prezervativë. Në Moskë gjendeshin lehtë, në Shqipëri me hope, mamaja më dërgonte shpesh. Në vitet ‘70 mjekët shqiptarë u njohën me pilulën kundër shtatzënisë. Nga ana tjetër ushqimet që nevojiteshin gjatë shtatzënisë mungonin. Edhe pse kuzhina shqiptare ishte në përgjithësi e shijshme, por me shumë erëza, veçanërisht spec djegës. Mos janë gjellët pikante arsyeja që shqiptarët s’kanë probleme në seks? Gratë shqiptare të rrethit tim kanë probleme për ta larguar burrin nga vetja, se për ta bindur atë. Meqenëse mungonin masat mbrojtëse gratë nuk mund ta jetonin seksin. Prandaj vuanin nga dhimbje koke e ankesa të tjera. Vajzat edukoheshin të ishin të turpshme, të dëlira dhe të papërlyera.

Transferimi në Tiranë
Në vitin 1971 Ilmiun e transferuan në Tiranë me punë në Komisionin e Planit të Shtetit ndërsa në ’72-shin u bashkuam edhe ne. Apartamenti i Tiranës, krahasuar me atë të Fierit kishte përmirësime. Pikërisht në këtë kohë erdhën për të na vizituar për herë të parë prindërit nga Gjermania. Ishte koha e racionimit të ushqimeve, por qëlloi që kur erdhën ata ishte më e favorshme.

Puna ime në Radio-Tirana
Në vitin ’70 më kishte ‘zbuluar’ Radio-Tirana. Kisha tashmë 10 vite në Shqipëri dhe gjuhën e kisha mësuar mjaft mirë. Mendoja të bëja përkthime librash, po nuk kisha gjetur momentin. Pak kohë më vonë më erdhi lajmi të nisja si përkthyese. Një ditë, erdhi Berti (Robert Shvarc) që më propozoi të aktivizohesha në përkthimin e dy revistave gjermane. Përkthimi im i parë ka qenë “Komisari Memo”, menduam se ishte interesante për lexuesin gjerman.

Takimi me Dritëro Agollin
Mjerisht nuk dija si u shkonte filli përkthimeve të mija. Por shumë shpejt fati deshi të takoja Dritëroin, i cili më tregoi se romani që kisha përkthyer kishte marrë një çmim si përkthimi më i mirë vjetor për letërsinë e huaj.

Plenumi i 1974-s
Ne ndodheshim në plazhin e Durrësit, kur erdhi lajmi për një plenum tjetër pas atij të ’73-shit. Ky plenum kishte demaskuar “Veprimtarinë armiqësore dhe anti-parti” të Beqir Ballukut, Ministrit të Mbrojtjes. Flitej edhe për mundësinë e asgjësimit të një çerdheje të madhe armiqësore në ushtri. Fillova të dëgjoja për arrestime, dënime dhe ekzekutime, por nuk besoja të prekeshim dhe ne. Erdhi koha e hakmarrjes së madhe. ‘75-sa më ngeli në mend si një vit i kobshëm.

Transferimi në Kukës
Ishte viti 1975. Vetëtimat në qiellin politik të Shqipërisë nuk kishin të pushuar. Në prill të ’75-ës doli thirrja e KQ të PPSh për luftën kundër burokracisë. Goditja e parë u drejtua në fushën e arsimit dhe të kulturës kundër Fadil Paçramit, ish- sekretarit të partisë së rrethit të Tiranës për arsim-kulturën si dhe kundër Todi Lubonjës. Në këtë situatë të rënduar politike ne u transferuam në Kukës, donim apo nuk donim. Unë u emërova mësuese në një shkollë 8-vjeçare ndërsa Ilmiu do jepte mësim në lëndën e financës në gjimnazin e naftës.

Letra e fundit dhe vdekjet
Letra e fundit e nënës ka datën e vitit ’82. Ajo më kërkon të falur për shkrimin jo të mirë për shkak të gishtit të sëmurë. Më vonë erdhi telegrami i babait për vdekjen e nënës. Nuk arrija të mblidhja dot mendimet. Sytë mu veshën nga një hije e zezë që rritej në mënyrë të frikshme. Mu ngritën vështirësi të pakapërcyeshme. Befas kisha frikë për fëmijët, për familjen. Bota nisi të më rrotullohej. Pas vdekjes së nënës humba fare lidhjet me babanë dhe vëllanë. Ajo kishte qenë lidhja mes nesh. Thuajse u shurdhova. Për vdekjen e tij kam marrë vesh vonë, në nëntor të vitit ’84, sepse telegrami kishte shkuar gabimisht në Krumë të Kukësit e jo në Krujë.

Pas proceseve demokratike
Meqenëse prej vitit 1991 Ilmiu s’ishte transferuar në Tiranë, arritëm të siguronim më pas një apartament bashkë me një pjesë të plaçkave tona. Arritëm të prenotojmë një shtëpi të bollshme në ndërtesën e parë në Tiranë, që u ndërtua nga një firmë private. Prej ardhjes e deri në ’93-shin jeta jonë kishte vetëm ecejake për të siguruar diçka për të blerë, pastaj gatimi i drekës derisa vinte Ilmiu e gëlltiste dhe me torbën e mbushur me darkën dhe mëngjesin shkonte në banesën provizore nga shkallët e rrezikshme. Por e papritura e madhe ishte njoftimi nga Ambasada Gjermane se unë fëmijët, nipi dhe mbesa kishim marrë nënshtetësinë gjermane, u gjallëruam të gjithë nga ky lajm. Më në fund unë mbaja sërish në dorë atë dokument të vlefshëm, që dikur kisha humbur në ecurinë e kohëve...
Përgatiti: Ani Jaupaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›