Kriza, PS: Sipërmarrësit, asnjë plan për investime
TIRANË- "Situatë e zymtë në gjithë sektorët e ekonomisë edhe për muajt që pasojnë, ndërkohë që qeveria vazhdon të bëjë shurdhin përballë kësaj gjendjeje".
Kështu është shprehur sot gjatë një komunikimi me mediat, nga selia e PS-së, Ilir Beqja.
Sipas tij, të gjithë sektorët e ekonomisë ndjehen në vështirësi dhe në gjysmën e parë të vitit 2009 kanë punuar më pak se vitin e kaluar.
"Në sektorin e industrisë sipërmarrësit nuk po shfrytëzojnë gati 40 % të kapaciteteve të tyre prodhuese. Edhe sektori i ndërtimit po punon nën stres, sepse po shfrytëzon vetëm 63% te kapaciteteve. Bujqësia do të ulë me disa herë ritmin e rritjes gjatë këtij viti, ndërkohë që prodhimi agroindustrial ka rënë me 7%."- tha ai.
Beqja theksoi se situata pritet e zymtë edhe në 6 muajt e dytë të vitit. Kjo sepse, sipërmarrësit deklarojnë se nuk kanë plane të investojnë apo të rrisin numrin e të punësuarve.
"Shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike e kemi shprehur në mënyrë të përsëritur që në fillim të vitit. Është detyrë e Partisë Socialiste të vazhdojë të denoncojë shurdhërinë e Sali Berishës, të cilit shqiptarët nuk ia dhanë votat për të qeverisur. Bashkë me qytetarët e Shqipërisë ne do të punojmë çdo ditë duke përdorur çdo mjet demokratik për t'ia shkurtuar ditët pushtetit jolegjitim të Sali Berishës"- përfundoi Beqja.