Policia Rrugore Korçë, masa të rrepta
Shtimi i rasteve të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda, ka bërë që edhe Drejtoria e Policisë së Korçës, të kalojë në shërbime të përforcuara, duke zbatuar një plan masash, për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar ngjarjet aksidentale. Patrullat e policisë së qarkullimit, janë duke ushtruar kontrolle në të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me qytetet e tjera të vendit dhe në mënyrë të veçantë, në ato segmente, ku janë shënuar edhe rastet e aksidenteve dhe që njihen ndryshe si njolla të zeza në rrugë. Njësitë task-forcë janë përqendruar kryesisht në aksin Korçë-Kapshticë dhe Korçë-Pogradec, në të cilat qarkullojnë një numër i konsiderueshëm mjetesh, ku në muajt e verës është rritur ndjeshëm edhe nga ardhja e emigrantëve. Përveç kontrollit të shpejtësisë dhe vendosjes së rripit të sigurimit, drejtuesit e mjeteve u janë nënshtruar edhe testit të alkoolit. Vetëm javën e fundit, nga njësitë task-forcë të Drejtorisë së Policisë së Korçës, janë vendosur mbi 1 mijë masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve, për shkelje të rregullave të Kodit Rrugor dhe janë pezulluar 50 leje drejtimi, për tejkalim shpejtësie dhe përdorim të pijeve alkoolike. Me gjoba janë ndëshkuar edhe drejtuesit e motoçikletave, që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse dhe që shpesh bëhen viktima të ngjarjeve aksidentale. Për drejtuesit e qarkullimit të Korçës, shkaqet kryesore të aksidenteve, që kanë ndodhur kohët e fundit, lidhen me shkeljen e rregullave të Kodit Rrugor nga drejtuesit e mjeteve, por edhe mangësitë e sinjalistikës, që vihen re në qytetin e Korçës, ashtu edhe në akset nacionale. Mungesa e sinjalistikës horizontale dhe nënkalimeve në rrugët që lidhin Korçën me Kapshticën dhe Pogradecin, ka shkaktuar edhe aksidente me pasoja të rënda. Në tre muajt e fundit, si pasojë e tyre, kanë humbur jetën 3 persona dhe janë plagosur dhjetra të tjerë.