E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, PS: Të merren masa

Tiranë -Partia Socialiste deklaroi sot se vendi po përballet me një krizë të thellë ekonomike, duke radhitur disa faktorë që e tregojnë përfshirjen në këtë krizë, si rënia e ndjeshme e prodhimit të përgjithshëm bruto (GDP), zhvlerësim i shpejtë i monedhës vendase, rritje e çmimeve, rritje e papunësisë, rënie drastike e dërgesave të emigrantëve, thellim i varfërisë dhe polarizim i frikshëm i shoqërisë.

“Përveçse ka ndikuar në rritjen e çmimit të mallrave të importit, pasi shumica e shkëmbimeve tregëtare kryehen në euro, zhvlerësimi i monedhës vendase, lek dhe forcimi i monedhave të forta Euro dhe USD, ka krijuar probleme tek qytetarët që e kanë zgjidhur problemin e strehimit me kredi, si dhe të çdo lloj biznesi që ka marrë kredi në valutë tek bankat e nivelit të dytë, për shkak se tani do të duhet ta paguajnë më shtrenjtë këstin mujor”-theksoi deputeti i PS-së Marko Bello.

Sipas Bellos, bankat rrezikojnë të mos arkëtojnë kreditë e dhëna, të vihen në vështirësi, ndërsa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si ndërtimi, fasonet dhe ato pak sipërmarrje që prodhojnë për eksport, mund të falimentojnë edhe për shkak të ndërprerjes së kreditimit nga sektori bankar.

Deputeti socialiste tha më tej, se Banka e Shqipërisë duhej të kishte parashikuar me kohë krizën dhe efektet e saj, si dhe të kishte orientuar me kohë shtetasit shqiptar drejt kredimarrjes në monedhën vendase. Në këtë drejtim, Bello akuzoi qeverinë për mos ndërhyrje në këtë krizë.

Bello i ka kërkuar qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të paraqesë një paketë anti-krizë. “Mendojmë se qeveria e tij ka patur kohë të mjaftueshme, afër 4 vjet, për ta bërë këtë gjë, por nuk ka dashur”-përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›