Tërhiqet mazhoranca, Pension për fëmijët e ushtarakëve të rënë
Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka vendosur të trajtojë me pension familjar, familjet e ushtarakëve dhe punonjësve të SHISH
Familjet e ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës do mund të trajtohen financiarisht njësoj si edhe ato të policëve që kanë humbur jetën po për shkak të detyrës. Komisioni i Sigurisë pas një insistimi të vazhdueshëm të opozitës ka miratuar dje disa ndryshime në projektligjin "Për trajtimin financiar të familjarëve të punonjësve të policisë së shtetit, gardës dhe të zjarrfikësve të rënë në kryes të detyrës", duke përfshirë në listën e familjeve që do të trajtohen nga ky ligj edhe ato të forcave të armatosura, si dhe Shërbimit Informativ Kombëtar.
Pavarësisht kundërshtimeve të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, përfaqësuesit e djathtë dhe të majtë në këtë komision kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bëjnë të mundur një trajtim të barabartë të familjarëve të të gjithë përfaqësuesve të forcave të armatosura të Shqipërisë që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.
"Në parim ne jemi dakord që të trajtohen me ndihmë, sipas këtij ligji, edhe familjet e forcave të armatosura, si dhe të punonjësve të SHISH apo edhe të policëve të tjerë të aeroporteve dhe porteve", - tha kreu i komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, gjatë diskutimit të djeshëm të këtij drafti. Ndërkohë, është rënë gjithashtu dakord që të bëhet një ndryshim edhe në masën e trajtimit financiar që duhet të përfitojë një familje, ku është hequr fjalët "deri në 20 mijë lekë të reja në muaj" dhe duke u vendosur "jo më pak se 20 mijë lekë të reja në muaj".
Ndërsa për shkak se tashmë kemi të bëjmë me një gamë të gjerë subjektesh që trajtohen me këtë projektligj, është vendosur të hiqet edhe Ministri i Brendshëm si personi që vendos për masën e trajtimit financiar, duke ia lënë këtë të drejtë tani qeverisë. Por meqë këto ndryshime sjellin efekte financiare, kreu i Komisionit të Sigurisë ka vendosur t'ia kalojë edhe një herë për shqyrtim Komisionit Përgjegjës që është ai i Ekonomisë.
Sipas Demit, është Komisioni i Ekonomisë ai që mund të hyjë në marrëdhënie me qeverinë për të marrë pëlqimin e kalimit të ligjit me ndryshimet e propozuara. "Ne marrim vendim që të përfshihen të gjithë, por meqë ka fatura financiare ia kalojmë Komisionit të Ekonomisë ta miratojë", - tha Demi në komision.
Projektligji parashikon mbështetjen financiare për punonjësit e strukturave të forcave të armatosura, duke përcaktuar në rastet kur prindi humb jetën gjatë ushtrimit të detyrës apo për shkak të saj, fëmijët përfitojnë një pension familjar të barabartë me pagën që ai ka marrë në momentin kur ka rënë në krye të detyrës.
Në rastet kur do të merret vendim për rritjen e kësaj kategorie pagash, edhe kjo pagë që në rastin konkret trajtohet si pension, do të pësojë rritje në të njëjtën masë. Ky trajtim do të jetë deri në momentin kur edhe fëmija më i vogël i familjes të mbushë 18 vjeç.