E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, arkëtohen më pak para nga taksat se parashikimi

 

Deri në fund të muajit shtator janë arkëtuar më pak para nga taksat se parashikimi i kryer në fillim të vitit nga Qeveria.  E vetmja taksë që nuk ka diferencë më parashikimin është tatimi mbi të ardhurat personale, kjo pasi është e vetmja taksë mbledhja e së cilës nuk ndikohet nga efektet e krizës ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore deri në fund të muajit shtator janë realizuar në masën 91.36 për qind të planit, ose 20.9 miliardë lekë më pak se parashikimi. Nga 242.2 miliard lekë të planifikuara në 221.3 miliardë lekë. Gjithsesi, ato janë rreth 5.9 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose 12.4 miliardë lekë më shumë. Sipas Ministrisë së Financave diferenca me parashikimin ka pothuajse në të gjithë zërat e të ardhurave tatimore me përjashtim të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksat nacionale. Konkretisht të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan 156.9 miliardë lekë nga 167.7 miliardë lekë të parashikuara. Të ardhurat nga pushteti vendor arritën në 9.5 miliardë lekë nga 14 miliardë lekë të parashikuara. Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore arritën 37.4 miliardë lekë nga 40.5 miliardë lekë të parashikuara. Ndërsa të ardhurat nga ndihmat rezultojnë 2.1 miliardë lekë nga rreth 4 miliardë lekë të planifikuara, ndërsa të ardhurat jo-tatimore rezultojnë 15.3 miliardë lekë nga 16 miliardë lekë të planifikuara. Për sa i përket shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit, deri në fund të muajit shtator 2009, kanë arritur në rreth 269.2 miliardë lekë, nga rreth 289.2 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar në rreth 93.1 për qind ose me një mosrealizim prej rreth 19.9 miliardë lekë. Nga ku shpenzimet kapitale ose investime janë realizuar në nivelin 92.9 për qind të parashikimit të përiudhës ose rreth 69.4 për qind të planit vjetor, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 5.3 miliardë lekë ndaj planit të periudhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›