Meidani i dorëzon kryesocialistit librin e rekomandimeve
Ish-presidenti Rexhep Meidani i ka dorëzuar kryesocialistit Edi Rama librin me rekomandimet e fondacionit “Qemal Stafa” të paraqitur pas diskutimeve me 400 ekspertët e fushave të ndryshme.
“Edi Rama është njeriu që do të udhëheqë Shqipërinë drejt një të ardhmeje më të mirë. Ai është njeriu që ka një vizion të qartë dhe ka provuar që di të bëjë ndryshimin. Suksesi i tij në Tiranë ka bërë modelin, duke përcjellë jehonë e tij në tërë botën. Unë e kam njohur Edin prej shumë vitesh dhe jam krenar ta quaj atë mikun tim dhe do të jem shumë krenar ta kem atë kryeministër”, deklaroi Meidani. Presidenti i nderit të fondacionit “Qemal Stafa”, Meidani theksoi se “Ajo që na bashkon ne socialistëve e progresistëve është më shumë se sa vetëm tradita. Besimet tona janë të forta dhe të bazuara në vlerat themeltare të demokracisë, lirisë, solidaritetit dhe të drejtave për të gjithë njerëzit. Ja përse besoj se këto vlera dhe Edi Rama do të na udhëheqin në rrugën e fitores në 28 qershor”. Para se t’ia dorëzonte librin e rekomandimeve Edi Ramës, Meidani ka falënderuar për punën e kryer “Shkëlqim Canin, Ditmir Bushatin, Gent Ibrahimin, Artan Lamen, Kosta Bajraban dhe natyrisht, drejtorin ekzekutiv të Fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahirin, të cilët kanë koordinuar dhe drejtuar të gjithë këtë proces të suksesshëm”. “Falënderoj Presidentin Meidani për prezantimin e ngrohtë që më bëri dhe për librin e rëndë që më la në dorë. Ky libër shton peshën e përgjegjësisë, që do të marrim në 28 qershor për ta qeverisur ndryshe atdheun tonë”, deklaroi Edi Rama pas marrjes së rekomandimeve të Fondacionit “Qemal Stafa”.