Listat, Berisha e Rama mbyllen në zyrë
ADI SHKEMBI
Kur kanë ngelur edhe 48 orë nga skadimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PS-së Edi Rama janë mbyllur në zyrë për përcaktimin e emrave. Por, ndërsa Partia Dem-okratike ka nisur tashmë plotësimin e dosjeve të kandidatëve, partia më e madhe e opozitës pritet të zgjidhë nesër dilemën se cilët do të jenë emrat që do të dalin në bazë për të kërkuar votat e elektoratit.
PS
Partia Socialiste kishte parashikuar të mblidhte sot kryesinë ku pritej të përcaktoheshin emrat e kandidatëve për 12 qarqet në të gjithë vendin. Por mbrëmë në darkë u vendos që kryesia të mblidhet të hënën paradite, duke shtytur publikimin e listave për në momentin e fundit. Shfrytëzimi deri në maksimum i hapësirave që jep Kodi Zgjedhor, lidhet edhe me frikën e partive se deputetët që nuk janë në listë mund të kalojnë në koalicionet rivale, konkretisht Poli i Lirisë për PD-në dhe “Aleanca Socialiste për Integrim” për PS-në. Deri tani vetëm disa nga të deleguarit e kryesisë së PS-së kanë të sigurt emrin në listat e partisë më të madhe të opozitës, ndërkohë që ende nuk ka nisur plotësimi i dosjeve të kandidatëve. Përcaktimi i emrave në momentet e fundit nga ana e PS-së duket se po detyron deputetët aktualë të mbajnë çdo ditë me vete pasaportat, një kopje të cilës do tu duhet për t’ia bashkangjitur formularit të kandidimit. Sipas nenit 72 të Kodit Zgjedhor, dokumenti i kandidimit duhet të jetë sipas formës së përcaktuar në udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky dokument duhet të përmbajë emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit.
PD
Por ndërsa Partia Socialiste është ende mbrapa lidhur me procedurat e plotësimit të dosjeve të kandidatëve, Partia Demokratike ka shfrytëzuar seancën e fundit parlamentare për të bërë gati dosjet. Burime nga grupit parlamentar demokrat bënë të ditur dje për gazetën se në seancën e të premtes, sekretarja e grupit u ka shpërndarë të gjithë deputetëve të pranishëm një formular tip, ku ata duhet të firmosnin se ishin dakord që të jenë kandidatë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Sipas udhëzimit të KQZ-së, të gjithë deputetët e partisë më të madhe të koalicionit të djathtë kanë plotësuar adresën e tyre të banimit si dhe kanë paraqitur një kopje të pasaportave. Kryesia e PD-së pritet të mblidhet sot ose nesër për përcaktimin e listave të kandidatëve për deputetë në të 12 qarqet. Deri tani të sigurt në këto lista janë 12 kryetarët e grupeve të punës, të cilët prej disa muajsh janë shpërndarë në bazë, ku veç vëzhgimit të zgjedhjeve në secilën prej degëve, kanë nisur edhe fushatën paraelektorale. Kështu kryeministri Berisha do të jetë i pari në listën e PD-së në qarkun e Tiranës, ndërkohë që në Durrës pritet të jetë i pari në listë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Kryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, do të kryesojë listën e Shkodrës, kurse Astrit Patozi pritet të jetë i pari në qarkun e Vlorës. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode do të udhëheqë fushatën në Korçë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Genc Ruli do të drejtojë Gjirokastrën. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi pritet të jetë i pari në Fier, ndërsa ministri i Jashtëm, Lulzim Basha në Elbasan.