E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama shpall ministrat e rinj

 

BLEDAR HOTI

Edi Rama shpall platformën e qeverisë së bashku me ekipin e njerëzve potencialë për drejtues të rinj të kabinetit qeveritar. Platforma e PS-së është transmetuar në këtë “kongres elektoral” jo nga vetë kryesocialisti, por nga njerëz të zgjedhur në PS-së, të cilët lanë përshtypjen e një ekipi të qeverisës, në rast se zgjedhjet e 28 qershorit fitohen nga Partia Socialiste. Në panelin e Konferencës për Programin ishin 16 persona të përzgjedhur për të prezantuar programin e PS-së. Arben Malaj, Andis Harasani, Besnik Baraj dhe Shkëlqim Cani mund të cilësohen figura të “vjetra” në PS, pasi pjesa tjetër ishin imazhi i ri i socialistëve, si Rudina Seseri, Ditmir Bushati, Ilir Beqja, Ervin Bushati, Shega Ligori, Eglantina Gjermeni, Rezeart Kola, Silva Bino, Anxhela Xhindoli, Alma Shazi, Bizena Bio dhe Genti Tare. I gjithë ky grup ka punuar në hartimin e programit, duke transmetuar pjesë të programit në gjatë konferencës. Hapja e këtij evenimenti u bë me vënien në sfond të këngës “100 % shqiptar” të grupit shqiptar, “West Side Family”, për të nisur më pas me 13 diskutimet e qytetarëve të ndryshëm të vendit. Një baner bënte thirrje për një politikë të re për ndryshimin. Më pas fjalën e kanë marrë “të përzgjedhurit” e kreut të PS-së për të shpalosur programin qeverisës. Ndër të gjithë diskutantët ra në sy premtimi i bujshëm i lëshuar nga Rudina Seseri për vende të reja pune për 197 mijë vetë. “Deri në vitin 2013 do të eliminohet puna e fëmijëve nën 16-vjeç në sektorin formal, do të ulet informaliteti e parandalohet shfrytëzimi i fëmijëve në ekonominë gri”, tha Seseri. PS në programin e saj, sipas Ditmir Bushatit premton liberalizim vizash me BE brenda vitit 2010.
Rama
Edi Rama për herë të parë ka bërë publike faktin e të qent si kandidati kryesor për kryeministër në rast e partia e tij fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fjalimin Rama e nisi mbi akuzat që hidhen mbi familjen e tij, duke theksuar se i biri i tij është sulmuar ashpër nga politika e vjetër. “Im bir ka lindur në vitin 1990, i përket gjeneratës që lindi bashkë me lirinë e këtij vendi dhe sot s’gjen dot vend për ëndrrat e shpresat e saj në një Shqipëri, që vuan pasojat e një politike pa zemër. Prej 18 vjetësh kjo politikë u jep të rinjve shembullin më të keq të mungesës së dashurisë e respektit mes njerëzve, duke u zhvilluar çdo ditë si një lojë ku rëndësi ka kush ul tjetrin më poshtë në sytë e të tjerëve dhe jo kush punon më shumë për të mirën e njerëzve”, tha Rama. Kryesocialisti tha se “unë kam hyrë në këtë garë për t’i ndryshuar rregullat e kësaj loje bashkë me qytetarët dhe për t’i dhënë bashkë me ju në 28 qershor Shqipërisë një qeverisje të qytetarë, me qytetarët, për qytetarët”, deklaroi Rama. Ndërsa sulmoi kryeministrin Berisha, duke e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, ku “për të mbuluar korrupsionin sulmon Bashkinë e Tiranës”. “E ka marrë përgjigjen tre herë nga populli i kryeqytetit. Do ta marrë këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë. Sepse shqiptarët, socialistë dhe demokratë, nuk e duan qytetin e fshatin e tyre si Gërdeci, por si Tirana. Sepse ne që e duam Tiranën edhe njëherë më të mirë se sot, për vete dhe për të gjithë ata motra e vëllezër, që nga emigracioni te Tirana kanë krenarinë e tyre, nuk mund ta lënë atë peng edhe një herë tjetër në duart e njeriut që i hapi rrugë Gërdecit, duke i mbyllur sytë e lidhur duart 11 institucioneve të shtetit, për hesap të një biznesi familjar, që është biznesi i tij, i Sali Berishës”, tha Rama. Ai theksoi se “qeveria jonë do të ndryshojë rrënjësisht nga qeveria që mbyll në 28 qershor kontratën e saj të parinovueshme me popullin shqiptar. Unë do të jem kryeministri i njerëzve që kanë nevojë prej 18 vjetësh për një shtet në shërbim të tyre dhe për një politikë të ëndrrave e të shpresave të tyre. Tani ju meritoni fjalinë e fundit. Kjo është koha jonë dhe ne do të fitojmë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë”.

deklaratat

Arben Malaj: Financat/Brenda 50 ditëve të para të mandatit do të prezantojmë një paketë antikrizë. Ritme më të larta rritjeje ekonomike, për vitet 2011-2013 do të jetë mbi 6%. Ulje e papunësisë në 9%. Inflacion jo më shumë se 3% në vit. Deficit buxhetor jo më shumë se 3%. Borxhi publik në vitin 2013, jo më shumë se 50% e PBB. Borxh publik vetëm për investime. Transparencë maksimale për çdo politikë fiskale dhe buxhetore.   Bashkëpunim maksimal dhe efikas me Institucionet Financiare  Ndërkombëtare.
Rudina Seseri: Punësimi/Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë, do ta ulë papunësinë në nivelin njëshifror, 9%; do të përgjysmojë nivelin e papunësisë në fshat dhe deri në fund të mandatit tonë, do të bëjë të prekshme 197,000 mundësi të reja punësimi.
Ditmir Bushati: Integrimi/Ne do të bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën “Schengen” brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet 42 standardet e trupëzuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave.
Ilir Beqja: Shëndetësia/Ne do të ofrojmë mbulim universal me shërbim shëndetësor për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga të ardhurat e tyre, gjendja shoqërore, vendbanimi, gjinia apo mosha. Ndryshimi që ne do të sjellim do të realizohet nga shërbimi i ri Shëndetësor Kombëtar që do të krijojmë.
Besnik Baraj: Mjedisi/Synojmë të realizojmë ndërhyrje energjike me faktorë financiarë, menaxhues dhe instrumente ligjorë për të penguar degradimin e natyrës dhe zmadhimin e borxhit të madh mjedisor që po u krijojmë brezave të ardhshëm.
Ledi Shamku: Arsimi/Ne jemi për një politikë të re që mbështetet: tek arsimi që garanton punësim, që bazohet në teknologji dhe vlera qytetare, e që siguron punë në Shqipëri dhe jashtë saj! Tek shpërblimi real i punës së arsimtarëve, duke mos u ndalur vetëm te paga po edhe te rivendosja e dinjitetit të tyre! Tek unifikimi i vërtetë i programeve tona shkollore me ato të Evropës.
Ervin Bushati: Bujqësia/Objektiva të zhvillimit të Partisë Socialiste janë: Rritja e mirëqenies në fshat dhe garantimi i pronës dhe i sigurisë social-ekonomike. Biznesi Agrar do të përjashtohet nga taksat për 3 vite; Synojmë rritjen e ekonomisë rurale me aktivitete si: agro-industrial, turizmi, bimët e egra dhe medicinale, produktet bio dhe artizanale, peshkimi, pyjet, gjuetia dhe agroturizmi.
Eglantina Gjermeni: Shërbimet Sociale/ Rritja e aksesit ndaj shërbimeve sociale, rritja e efikasitetit të tyre, bëjnë të mundur që çdo qytetari shqiptar t’i ofrohen shërbime sociale të integruara, duke respektuar çdo individ dhe të drejtat që ka. Programet dhe politikat efikase parandaluese do të ndikojnë në një përfshirje më të gjerë sociale si dhe në minimizimin e problemeve sociale, që lidhen me varfërinë dhe përjashtimin social.

PD: Programi i PS me premtimet boshe të Nanos
Partia Demokratike reagoi dje pas publikimit të programit të PS-së, të cilin e konsideroi një pjesë si të qeverisjes së demokratëve në vitin 1992-1996 dhe një pjesë si të Nanos, i cili premtoi hapjen e 200 mijë vende pune. “Sot Edi Rama pasi mbajti të fshehur 1 vit rresht programin e partisë së tij, doli para publikut me një program i cili dallonte nga elementë si realizime të programit Berisha të viteve ‘92-‘96 dhe premtime boshe të Fatos Nanos për 200 mijë vende pune”, tha gjatë një konference për shtyp zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Ndërkohë në daljen e parë të saj si zëdhënëse e fushatës së PD-së, ministrja Majlinda Bregu tha se, “e reja më e spikatur e Konventës së Politikës së Re pa program të Edi Ramës sot, ishte premtimi se nënat e reja shqiptare do të marrin 1 vit leje lindjeje. Kur në 29 qershor, ai të vrasë mendjen për arsyet e humbjes, i sugjeroj që në kohën e lirë, Rama të lexojë Ligjin e Sigurimeve Shoqërore, Kodin e Familjes, Kodin e Punës dhe Kodin Penal për çështjet e dhunës në familje, për të kuptuar se ç’është familja, marrëdhënia burrë–grua dhe sigurisht dënimi për dhunimin e tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›