E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirëserdhe Shqipëri!



Të goditur nga kriza ekonomike, argumentet kushtetuese dhe shqetësimet për raportet me Rusinë, do të ishte e lehtë për udhëheqësit e Bashkimit Evropian të injorojnë aplikimin e Shqipërisë së vogël për anëtarësim. E lehtë, por e gabueshme.

Zgjerimi drejt Lindjes i bllokut evropian është një prej sukseseve të tij më të mëdha dhe ky proces duhet sforcuar duke mbështetur shtetet e brishta në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Tirana zyrtare vendosi të aplikonte menjëherë pasi shtetet e BE-së vendosën që të pranonin aplikimin e shtetit fqinj (të Shqipërisë), Mali i Zi. Megjithatë, Shqipëria duhet të presë disa muaj për të marrë OK-in nga Brukseli, pasi ky i fundit pret ecurinë e zgjedhjeve që do të mbahen në Shqipëri në fund të muajit qershor, pra nëse këto zgjedhje do të bëhen brenda standardeve të BE-së. Megjithatë, të dyja shtetet në vitet në vazhdim do të kenë një punë të madhe për të bërë, pasi duhet të arrijnë standardet e kërkuara.

Turqia dhe Kroacia, dy vendet të cilat tashmë kanë hyrë në bisedimet për anëtarësim, kanë hasur në vështirësi.

Në rastin e Turqisë, ekziston një mungesë thelbësore e gatishmërisë politike të Bashkimit Evropian, e cila ka nxitur zhgënjime në Ankara. Në rastin e Kroacisë, problemi kryesor qëndron tek konflikti kufitar që ka me Slloveninë, për çka Lubjana është duke e bllokuar procesin e Zagrebit.

Katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova – përballen me shumë sfida para se të mund të hyjnë në bisedime për anëtarësim. Serbia duhet të arrestojë fillimisht Ratko Mlladiçin, të akuzuarin për gjenocid; Bosnja duhet të dëshmojë unitet më të madh midis bashkësive të ndara etnike; Maqedonia duhet ta zgjidhë konfliktin për emrin me Greqinë dhe Kosova duhet të fitojë më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj.

Dhe të gjitha këto vende, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, duhet të bëjnë shumë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E gjithë kjo nuk do të jetë e lehtë, por do të ishte edhe më e rëndë nëse s’do të ishin projektet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dhe ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet të gjenerojë një mbështetje më të fuqishme për zgjerimin në Ballkan. Që prej luftërave jugosllave, Ballkani Perëndimor ka qenë më shumë përgjegjësi e Bashkimit Evropian. Përgatitja e rajonit për anëtarësim është e vetmja rrugë racionale për të siguruar paqen dhe prosperitetin.

*Editoriali i datës 28 prill

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›