E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë ka më keq se dështimi i planit për krizën?

Nga “New york Times”
Pas afërsisht tetë vitesh votim në mes të konflikteve me Presidentin Bush për çdo gjë, që nga reduktimi i taksave te çështja e torturës, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres, vendosën të hënën të prishin ... 

...radhët lidhur me mbijetesën e sistemit financiar të vendit. Projektligji për përballimin e krizës u paraqit pas një fundjave negociatash të vështira dhe ishte i diskutueshëm në shumë këndvështrime, por ishte një projektligj i paraqitur nga radhët republikane dhe ishte mjaft i përmirësuar nga varianti origjinal i administratës Bush. Gjashtëdhjetë për qind e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve votuan për projektligjin, mjaftueshëm për të miratuar ligjin me lehtësi, nëse republikanët nuk do të kishin vendosur të paraqisnin objeksionet e tyre dhe kokëfortësinë.
Çështja është nëse rënia në tregjet e aksioneve që pasoi dështimin e planit në Kongres si dhe një ngrirje e re e kredive, do të jenë të mjaftueshme për të bërë 133 republikanët që votuan kundër planit, të ndryshojnë mendje. Dhe, më e rëndësishmja është të dimë nëse dëmi që shkaktoi votimi kundër projektit, është lehtësisht i kthyeshëm apo jo. Votat republikane ishin të bazuara më pak në analizën apo parimet e tyre, sesa në ashpërsinë ideologjike dhe impostimin politik. Lideri i minoritetit në Dhomën e Përfaqësuesve, John Boehner, deklaroi se “ndërsa ishim të gatshëm për të kundërshtuar projektligjin, kjo nuk ishte dhe aq e mirë për të gjithë ne”. Nuk është e qartë se çfarë do të ishte tani gjëja më e mirë për republikanët, pasi pati shumë pak diskutime për esencën e ligjit të hënën, pak para se ai të rrëzohej. Në vend të kësaj, republikanët u përpoqën të fajësonin revoltën e tyre me një fjalim para votimit nga ana e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, që e lidhi krizën aktuale me keqmenaxhimin fiskal dhe ekonomik gjatë viteve të qeverisjes së Bushit. Mund të mos ketë qenë moment perfekt për ta thënë një gjë të tillë, por ishte e vërtetë. Republikanët ishin gjithashtu të nervozuar, sepse planet e njëpasnjëshme për përballimin e krizave janë në njëfarë mënyre të refuzuara nga parimet e ekonomisë së tregut. Kështu është në fakt. Kjo është arsyeja pse tregu i lirë në financë, pa rregulla dhe pa mbikëqyrje, ka dështuar. Dhe me dështimin e tij, ka pasoja shumë të mëdha për ekonominë e dobët të tregut.
Asnjë ndryshim në paketën e planit për përballimin e krizës nuk do ta ndryshojë situatën e krizës në ekonomi dhe nuk do të fshijë dështimin e parimit apo ideologjisë së republikanëve, tregjet e lira mbi gjithçka. Që prej javës së kaluar, i është bërë thirrje kongresit të gjejë kohën e duhur për ta përmirësuar projektin.
Mbi të gjitha, ligjvënësit i kanë marrë pak në konsideratë, në publik të paktën, alternativat e planit të Ministrisë së Thesarit për të blerë asetet e këqija nga disa firma financiare.
Në projektligjin që u hodh poshtë të hënën, pushteti i pakufizuar që kishte kërkuar Departamenti i Thesarit u kufizua dhe mbikëqyrja e Kongresit iu shtua planit. Por rishikimi juridik i blerjeve të Thesarit nuk u sigurua në mënyrën e duhur. Dera nuk u mbyll plotësisht; juristët mund të kërkojnë ende ndryshime efektive në lidhje me aktet që shkelin kushtetutën. Por ky është një shqetësim më i madh sesa pengesat e tanishme për të dekurajuar veprimet ligjore kundër qeverisë.
Pronarëve të shtëpive u jepen gjithashtu disa mundësi ndihme bashkë me udhëzimin që i bën thirrje huadhënësve dhe Departamentit të Thesarit të bëjnë më shumë për ta. Por kjo nuk është një gjë aq e mirë. Kriza financiare është një problem sa për pronarët e shtëpive aq edhe për bankierët dhe investitorët në Wall Street.
Thirrjet që u bëhen huadhënësve nuk është se kanë pasur shumën sukses. Nëse nuk do të kenë sukses edhe në muajt në vazhdim, Kongresi duhet t’i rikthehet çështjes. Mbrojtja e taksapaguesve është gjithashtu e rëndësishme dhe presidenti duhet t’i paraqesë kongresit një tjetër plan për të mbrojtur ata nga humbja në firmat financiare. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas. Ligjvënësit mund të vendosin në atë moment se taksapaguesit janë të vetmit që mund të përballojnë humbjet. Imperfeksionet e ligjit janë rezultat i një procesi demokrat që mund të rimendohet dhe rishikohet. Është më mirë se asgjë, ajo çfarë u “dhuruan” republikanët e Kongresit amerikanëve të hënën.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›