OPINION/ Libri, TVSH-ja dhe ministri Bode
Debati për heqjen ose diferencimin e TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar) mbi librin në interes të konsumatorit lexues vazhdon prej kohësh, por gjatë vitit të fundit ai u rikthye në vëmendjen e opinionit publik për shkak të rivendosjes së kësaj mase fiskale për librat që vijnë nga importi.
Ky debat është rishfaqur edhe këto ditë nga amendimi në “Ligjin mbi TVSH-në” me propozimin qesharak për heqjen e këtij tatimi vetëm për gazetat e revistat që vijnë nga jashtë dhe lënien në fuqi të TVSH-së për librat dhe shtypshkrimet e tjera.
Me argumente e kundërargumente të palëve në debat është njohur e ngopur opinioni publik që në mënyrë të natyrshme pret mbështetje më të madhe e konkrete nga Qeveria për lehtësimin e barrës fiskale ndaj librit në interes të nxitjes së leximit ndër shqiptarët. Kjo edhe për një mbështetje konkrete të prononcimit të kryeministrit të Shqipërisë para pak ditësh për librin dhe bibliotekat. Dhe nuk do të merreshim më me këtë çështje, duke parë mungesën e vullnetit politik për të ndihmuar librin dhe lexuesin shqiptar, nëse nuk do të kishim ndjekur me interes debatet në Parlamentin Shqiptar në lidhje me këtë çështje dhe sidomos replikat e z. Ridvan Bode, ministër i Financave i Shqipërisë, i cili, të paktën në dy çështje nuk u tregua i sinqertë me ligjvënësit e tjerë dhe teleshikuesit që e ndiqnin nga ekrani. Dhe, meqenëse ai nuk i është përgjigjur asnjëherë dhe as këtë radhë ftesës dhe kërkesës sonë për një takim të shkurtër (si grup i rëndësishëm interesi kur bëhet fjalë për librin), detyrohemi ta shfaqim publikisht komentin tonë në lidhje me argumentet e tij për rivendosjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për librat e importit.
Së pari, deklarata e zotit Bode se në të gjitha vendet e tjera të Evropës nuk është hequr TVSH-ja nuk është e vërtetë. Saktësisht do të thoshim se një pjesë e madhe e vendeve të Evropës, ato Nordike, por edhe nga vendet e Lindjes e kanë bërë TVSH-në zero në të gjitha hallkat e krijimit, prodhimit dhe tregtimit të librit. Ndërsa pothuaj të gjitha vendet që bëjnë pjesë në Komunitetin Evropian këtë taksë e kanë të diferencuar 4, 5 ose 6 %, në një kohë që për mallrat e tjera e kanë 18 – 20 %. Kështu, p.sh., dy vendet tona kufitare me BE-në, Italia dhe Greqia e kanë vetëm 4 % TVSH-në mbi librin, pra, të diferencuar nga mallrat e tjera. Po kështu edhe vendet e tjera fqinjë me Shqipërinë: Maqedonia 5%, Kroacia 0 %, Kosova e pasluftës 15 % dhe është në pritje të miratimit të Ligjit të Librit ku është propozuar për ta bërë TVSH-në 0%. E kështu me radhë. Siç shihet TVSH-ja mbi librin në vendin tonë është më e larta në Rajon dhe po kështu është edhe po ta krahasosh me të gjitha vendet e tjera evropiane. Të paktën kështu u duhej thënë shqiptarëve nga tribuna e fjalës së lirë dhe të vërtetë të Kuvendit.
Ne, në emër të konsumatorit lexues kemi kërkuar që të TVSH-ja mbi librat të bëhet 0% si nga ato që vijnë nga importi, ashtu edhe nga ato që shtypen nga shtypshkronjat e vendit. Kjo do të ishte idealja dhe shprehje e një vullneti politik përparimtar dhe dijedashës. Por edhe vendosja e një TVSH-je të diferencuar, 4 ose 5 % do të ishte e pranueshme dhe rregullator për tregun e librit shqip, pasi heqja gjysmake e saj e ka deformuar zbatimin në praktikë të TVSH-së në tregun e librit shqip dhe e ka kthyer atë në një taksë të mirëfilltë dhe të parimbursueshme. Një përgjigje e z. Bode se do të ishte mirë TVSH-ja e diferencuar, por nuk ka ardhur koha se nuk na lë BE-ja dhe FMN-ja duket se nuk ka bazë. BE-ja nuk mund të ndalojë marrjen e një mase e cila në vendet ku ajo ushtron juridiksionin është ligj në fuqi dhe nuk mund të jetë kundër zhvillimit të kulturës së një vendi, aq më tepër kur një ndërmarrje e tillë nuk ka pothuaj fare ndikim në buxhetin e shtetit dhe mbarëvajtjen e ekonomisë. Ndërsa, për sa i përket FMN-së, veç argumenteve që janë të vlefshme si në rastin e BE-së, të gjithë e kanë parë këto ditë nëpërmjet mediave elektronike dhe gazetave se ajo po bën gati valixhet dhe zor të mendohet se Qeveria jonë pyet shumë për të.
Së dyti, zoti Bode u shpreh në Kuvendin e Shqipërisë se kërkesa (ankesa) për rivendosjen e TVSH-së për librat që vijnë nga importi i është bërë Qeverisë nga shtypshkronjat shqiptare, si grup interesi, për shkak të konkurrencës që ato i bëjnë prodhimit vendas shtypshkronjat e huaja. Që një grup interesi të ankohet dhe t’i bëjë kërkesa Qeverisë për lehtësira fiskale kjo është normale, por administrata shqiptare nuk duhet të dëgjojë dhe të mbrojë interesat vetëm të një apo disa grupeve apo grupimeve, me apo pa njohje e lidhje me të, por duhet të dëgjojë, të mbrojë dhe të harmonizojë interesat e të gjitha grupeve, siç e përcakton edhe ligji përkatës. Por ajo që është më e rëndësishmja është se librat që vijnë nga importi as që kanë të bëjnë dhe nuk kanë asnjë lidhje e ndikim me ato që shtypen nga shtypshkronjat vendase, veçse pjesërisht në rastin e librit shkollor, për të cilin do të flasim më poshtë. Dhe ja një argument i shkurtër:
- Librat në gjuhë të huaj, nevoja për të cilët është shtuar dhe shtohet dita ditës kryesisht prej studentëve dhe studiuesve, nuk shtypen dhe nuk mund të shtypen nga shtypshkronjat shqiptare;
- Librat shqip që shtypen në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë e emigracion, si bashkëpunim i botuesve e shkrimtarëve atje, nuk mund të shtypen nga shtypshkronjat shqiptare por në vendet ku e kanë veprimtarinë botuesit e këtyre vendeve;
- Librat e përgatitur nga botuesit në Shqipëri me koedicion ndërkombëtar nuk mund të shtypen nga shtypshkronjat vendase, pasi marrëveshjet ndërkombëtare janë të tilla për shkak të përgatitjes në një qendër për disa botues të ndryshëm dhe tirazheve të larta që realizojnë këto botime me bashkëbotues;
- Një kategori botimesh specifike shqiptare si: albumet, katalogët, atlaset, hartat, botime ilustrative dhe me lidhje speciale etj., akoma nuk mund të realizohen me cilësinë e duhur nga shtypshkronjat shqiptare (me përjashtime të rralla dhe tirazhe të kufizuara). Për shkak të tezave kufizuese “për të mbrojtur prodhimin vendas”, nuk mund të penalizohen konsumatorët shqiptarë dhe t’u diktohen atyre cilësi dhe shije estetike më të ulëta në raport me qytetarët e tjerë të Evropës;
- Edhe për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) nuk mund të vihen kushte diskriminuese midis të njëjtave prodhime të vendit me ato që realizohen në import. Propozimi për heqjen e TVSH-së vetëm për gazetat e revistat që vijnë nga jashtë (kryesisht ato të huaja) është vetëm sa për t’u hedhur hi syve ndërkombëtarëve se po zbatohet MSA-ja, ose për t’i bërë nder dikujt, sepse te lexuesi shqiptar kjo masë nuk ka pothuaj asnjë impakt. Aq më tepër që sot pothuaj të gjithë periodikët dhe gazetat e përditshme i gjen lehtësisht në internet pa asnjë lloj pagese.
Këto dhe argumente të tjera e hedhin poshtë pretendimin e z. Bode se rivendosja e TVSH-së mbi librin e importuar mbron interesat e prodhimit vendas.
Për sa i përket librit shkollor, çështja shtrohet pak më ndryshe: Aktualisht botuesit e paguajnë TVSH-në në shtypshkronjat e vendit për librat shkollorë që shtypin, por nuk mundin ta rimbursojnë në shitjet që u bëjnë librarëve apo shkollave. Duke qenë se aktualisht çmimet e shitjes janë të përcaktuara nga shteti kjo TVSH që paguhet në shtypshkronjë dhe nuk zbritet nga shitja pasardhëse u mbetet botuesve si kosto. Ndaj kërkimi i ofertave prej tyre edhe jashtë kufijve është më se i natyrshëm, edhe për shkak të afateve të ngushta kohore kur duhet të realizohen këto libra. Shteti, aplikon rimbursimin për tekstet shkollore, sipas politikave arsimore dhe sociale që ai ka në programet e tij. Kjo është e drejtë e tij edhe pse këto praktika më shumë kanë sjellë konfuzion në shpërndarjen e librave sesa kanë ndihmuar njerëzit në nevojë. Por shteti nga njëra anë deklarohet për subvencione të teksteve shkollore, nga ana tjetër i rëndon ato më 20 % TVSH, e cila u shtohet çmimit të librave. Mund të mos aplikohej ky subvencion mbi tekstet shkollore, për të shmangur edhe rrëmujën e llahtarshme që bëhet sapo afron shtatori. Mjafton që të hiqet TVSH-ja mbi këto libra të shkollës dhe, nëpërmjet kontratave, shteti mund të kërkojë që kjo të pasqyrohet në çmimet e librave. Kështu do të kishim ulje të ndjeshme të çmimeve të librave shkollorë, por edhe punë më të garantuar për shtypshkronjat vendase për shkak të ofertave të tyre më të arsyeshme si rrjedhojë e heqjes 20 % të TVSH-së. Kështu edhe me MSA-në shteti shqiptar do të ishte në rregull, por edhe ministrit të Financave do t’i jepej rasti të konkretizonte detyrat e dhëna nga shefi i tij për një kujdes më të madh ndaj librit dhe të mos merrte përsipër përgjegjësitë si njeriu antilibër në Qeverinë Berisha, siç dhe po komentohet prej kohësh gjerësisht në rrethet e njerëzve të kulturës dhe komunitetin e njerëzve të librit.
*Kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)