Kriza, buxheti rezervë 16 miliardë lekë
fabiola Çela
Askush nuk e di se sa do të zgjasë kriza financiare ndërkombë-tare dhe se cilat do të jenë efektet e saj. Kështu është shprehur dje ministri i Financave, Ridvan Bode në Komisionin parlamentar të Ekonomisë gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2009. Sipas tij, gjithçka do të mund të bëhet e qartë vetëm nga pranvera e vitit të ardhshëm. Por ai i ka garantuar shqiptarët se bankat shqiptare nuk preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo krizë. Por për t’i paraprirë çdo situate të pakëndshme financiare, qeveria në projektbuxhetin e vitit 2009 ka vënë mënjanë një fond parash për t’i hedhur në treg në rast se bankat janë në vështirësi. “Efektet reale në të gjithë botën priten të ndihen në fillim të vitit tjetër. Askush nuk e di se deri kur do të shkojë kriza dhe askush nuk e di se si do të reagojnë bankat. Gjithçka do të bëhet e qartë nga pranvera e vitit që vjen. Duke marrë parasysh gjithë këto ngjarje, ne kemi lënë 16 miliardë lekë për t’i përdorur nëse shohim se ka vështirësi”, ka deklaruar Bode.
Projektbuxheti
Kriza financiare ndërkombëtare e ka detyruar qeverinë shqiptare që të mos marrë pjesë në tregun evropian të boneve të thesarit. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Financave, zhvillimet në tregun financiar kohët e fundit kanë dëshmuar një mungesë stabiliteti dhe një tronditje ç’ka është shoqëruar jo vetëm me pakësimin e fondeve publike, por edhe me një rritje të normës së interesit”, është shprehur ministri. Sipas tyre, nuk është momenti i përshtatshëm për të dalë në treg dhe për të blerë bono 15–20-vjeçare, pasi do të paguanin një kosto të lartë. Por në momentin kur tregu financiar do të jetë i stabilizuar, Shqipëria do të dalë në treg me rreth 300 milionë euro, për të nxjerrë një bono në tregun evropian, por në kushtet e një tregu stabël me interesa të përshtatshme dhe jo në kushtet aktuale. Në projektbuxhetin e vitit 2009, qeveria ka parashikuar që të zvogëlojë deficitin buxhetor prej 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2008. Pra, programimi i deficitit për vitin 2009 është 4.2% e PBB-së. Ndërkohë duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, qeveria do të rrisë pagat dhe pensionet. Pensionet e fshatit do të rriten me 20% dhe të qytetit me 10% nga data 1 maj, pra me një ritëm rritje shumë më të lartë se inflacioni. Ndërkaq, sipas projektbuxhetit të vitit 2009, rritja mesatare e pagave në sektorin publik për vitin 2009 do të jetë 10 për qind. Sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë do të përfitojnë rritjen më të lartë të pagave. Duke nisur nga 1 maji i vitit të ardhshëm, rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar është 14 për qind. Ndërkohë që për pagat e punonjësve të sistemit universitar rritja e pagave do të jetë e diferencuar. Për sektorin e shëndetësisë qeveria ka vendosur që në 2009-ën pagat të rriten mesatarisht me 12.3 për qind, por niveli i rritjes do të jetë i diferencuar në bazë të pagës.