Në treg kartëmonedha e re 1 mijë lekëshe
Duke nisur nga data 14 nëntor, Banka e Shqipërisë do të hedhë në treg kartëmonedhën e re të prerjes 1000 lekëshe, emetim i vitit 2007. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë. Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara, duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Kartëmonedha e re e prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2007, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2001. Por, ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementeve të sigurisë si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj dëmtimit. Më konkretisht, në kartëmonedhën e re ndryshojnë disa elementë, si firma e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe e Drejtorit të Emisionit, viti në trupin e saj do të jetë 2007, shtohet elementi i qosheve të përforcuara, rritet gjerësia e fillit të sigurisë, relievi i kartëmonedhës është më i ndjeshëm në prekje, sidomos te pjesa e teksteve dhe numrave, kartëmonedha është llakuar për ta mbrojtur nga lagështia. Pra, e thënë ndryshe, duke nisur nga 14 nëntor 2008, kartëmonedha e prerjes 1000 lekë, emetim i vitit 2007, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.