“Mavraj? Kemi lojtarë më të mirë në Shqipëri”
Leonard Karaj
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klodian Duro e ka konsideruar si të rëndësishme ndeshjen me Irlandën e Veriut, ndonëse është një miqësore. Ndërsa porsa i përket refuzimit të Kombëtares nga Mërgeim Mavraj ai ka pohuar se Shqipëria ka lojtarë më të mirë se ai.
Irlanda e Veriut nuk ka shumë ngjashmëri me skuadrat e tjera të grupit ku ndodhet Shqipëria në Euro 2012, por për Klodian Duron kjo miqësore vlen shumë për të parë gjendjen e skuadrës. “Takohemi për herë të parë pas kaq kohësh dhe për fat grupi është i plotë, - tha ai, duke nënkuptuar rikthimin e futbollistëve si Lala apo Beqaj. - Megjithëse Irlanda e Veriut është e ndryshme nga skuadrat e tjera që ne kemi në grup, kjo miqësore na vlen shumë pasi duhet të krijojmë grupin dhe të jemi gati për eliminatoret”, shtoi Duro.
Në lidhje me objektivat që duhet të ketë Shqipëria në eliminatore, mesfushori mendon se shanset janë për një renditje më të mirë. “Mendoj se i kemi shanset për një renditje më të mirë në këto eliminatore. E rëndësishme është ta nisim mirë dhe të krijojmë edhe një atmosferë pozitive, megjithatë duhet të pranojmë se grupi është shumë i vështirë. Objektivi ynë duhet të jetë që të fitojmë nga 6 pikë me skuadra si Luksemburgu apo Bjellorusia”, ka thënë ai.
Mesfushori ndërkohë kuqezi ka komentuar edhe vendimin e mbrojtësit kosovar Mërgim Mavraj për t’i thënë jo kombëtares shqiptare. “Futbollistët me origjinë nga Kosova, megjithëse të gjithë jemi shqiptarë, janë pritur gjithnjë ngrohtë në kombëtare dhe janë ndjerë mirë. Ky ka qenë një vendim i Mavrajt dhe ai e di vetë. Por, unë jam i mendimit se edhe brenda territorit ne kemi futbollistë mjaft të mirë dhe te të cilët mund të mbështetemi për të ardhmen”, deklaroi mesfushori kuqezi.