Kriza dhe zjarret dy arsyet pse njerezit po blejne kasaforta

Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 2 mars 11:29 NOA - Një kasafortë sigurie po shikohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët si një alternativë, për të ruajtur kursimet, dokumentet e pronësisë apo sende të çmuara.
Kriza financiare ka shtuar frikën e njerëzve të pasigurt ndaj bankave, por edhe zjarret e rëna kanë orientuar qytetarët të blejnë kasaforta të vogla familjare.
Bizneset e këtij sektori konfirmojë tendencën në rritje të shitjes së kasafortave në pesë muajt e fundit.
“Pas shfaqjes së krizës financiare qytetarët kanë nisur të blejnë kasaforta të vogla familjare, për të ruajtur kursimet e tyre”, - shprehet një nga pronarët e dyqaneve.
Bëhet fjalë për ata njerëz që kanë shumë të vogla kursimesh në bankë dhe kanë frikë që të mos i humbasin për shkak të pasigurisë që ekziston nga kriza. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu, - thonë tregtarët se zjarret e njëpasnjëshme janë një faktor i rëndësishëm që kanë stimuluar qytetarët për të blerë kasaforta.
Çmimi i një kasaforte të vogël familjare varion nga 2 mijë lekë në 20 mijë lekë të reja. Ndërsa çmimi i kasafortave për biznes varion edhe nga niveli i sigurisë, për të nisur me 20 mijë lekë deri një milion lekë.
Forma më e mirë për të ruajtur çdo send apo dokument të vlefshëm mund të jetë kasaforta.
Por nuk është as banka dhe as kasaforta forma më e mirë për të ruajtur kursimet.
Çdo para e mbledhur sipas edhe sugjerimeve të ekspertëve është më mirë të investohet, pasi vetëm në këtë mënyrë paratë janë të sigurta dhe leverdia është edhe më e madhe.
r.l/NOA