E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e barnave, Ndoka: Qeveria nuk na ka dhënë fondet e mjaftueshme



Vijon kriza e ilaçeve në QSUT, kërkohet prokurim i drejtpërdrejtë, përndryshe barnat do të vijnë në tetor

Nëse zgjidhet rruga e tenderave për të zgjidhur krizën e ilaçeve në QSUT, atëherë kjo mënyrë do të mund të pajisë spitalin universitar me medikamente vetëm në muajin tetor. Krizës që ka përfshirë prej muajsh këto spitale deri më tani nuk po i jepet një zgjidhje përfundimtare.

Ndërkohë kreu i Shëndetësisë, Nard Ndoka, duke pranuar situatën e krijuar, ka lëshuar sinjalin SOS për më shumë fonde. Ai kërkon më shumë buxhet që të blihen medikamentet me prokurim të drejtpërdrejtë dhe jo përmes procedurave tenderiale. Në rast të kundërt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të furnizohet me medikamente vetëm në muajin tetor.

Ndoka

Kriza e ilaçeve që ka përfshirë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë nuk ka ardhur vetëm për shkak të ministrit Ndoka. Madje, ky i fundit pohon se problemet e shëndetësisë kanë ardhur për faj të qeverive të ndryshme. Sipas tij, situata që kalon sektori i shëndetësisë vjen për faj të politikave të të gjitha qeverive, të cilat asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet shëndetësinë.

“Të gjitha qeveritë e kanë parë sistemin shëndetësor jo si një sektor prioritar. Ne kemi një financim rreth 2.9 për qind të GDP-së dhe kjo është përqindja më e ulët në rajon. Kjo përqindje duhet të dyfishohet dhe atëherë problemi mund të konsiderohet i kaluar”, - u shpreh Ndoka.

Pak ditë më parë, Komisioni parlamentar i Shëndetësisë vendosi të kërkojë një fond shtesë prej 70 milionë lekësh, për të blerë medikamente me prokurim të drejtpërdrejtë për të zgjidhur krizën në QSUT. Nëse pritet që të përfundojnë procedurat tenderiale, në mënyrë që të furnizohet QSUT me medikamentet e nevojshme, furnizimi me medikamente i spitalit do të bëhet në fund të muajit tetor, kur përfundojnë procedurat tenderiale.

Kriza

Nga ana tjetër, një zgjidhje provizore ka ardhur nga drejtuesit e QSUT, të cilët kanë filluar grumbullimin e barnave nga spitalet e rretheve. Krizës së medikamenteve që ka mbërthyer spitalet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do t’i jepet një zgjidhje emergjente kur të blihen medikamentet e reja.

Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare, Mati Pepa, ka deklaruar se barnat mungojnë ende, ndërsa gjendja po vështirësohet më tej. "I kam propozuar Ministrisë së Shëndetësisë që të gjitha barnat e spitaleve nëpër rrethe të grumbullohen në QSUT, pasi këtu ka më shumë nevojë", - u shpreh Pepa. Drejtori i Qendrës njoftoi se do të ketë një takim me distributorët për t'u kërkuar ndihmë në barna, kryesisht antibiotikë. Data 16 korrik shënonte edhe shpalljen e tenderit për medikamentet, por sipas procedurave, kontratat lidhen në muajin gusht dhe furnizimi vjen në muajin tetor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›