Bashkia u jep bonus qiraje 36 familjeve
Përfituese familjet, shtëpitë e të cilave u prishën në lagjen “Ali Demi”
Kundërshtojnë përfaqësuesit e PD-së
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dje me shumicë votash dhe kundërshtimin e këshilltarëve të Partisë Demokratike vendimin për dhënien e bonusit të qirasë për 36 familje, shtëpitë e të cilave u prishën përpara një muaji nga Policia Ndërtimore në lagjen “Ali Demi”. Vendimi u jep këtyre familjeve gjysmën e qirasë që ato paguajnë përgjatë gjithë vitit. Këshilltarët e Partisë Demokratike e kundërshtuan këtë vendim, duke deklaruar se ishte në kundërshtim me ligjin për dhënien e bonusit të qirave, çka nuk u pranua nga përfaqësuesit e bashkisë dhe këshilltarët e Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Vendimi
Vendimi u mor me 20 vota pro dhe 11 kundër, duke u dhënë shansin të gjitha familjeve të propozuara të përfitojnë nga ky projekt. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Albana Dhimitri, deklaroi se këto familje duhet të përfitojnë, pasi janë të vetmet që kanë aplikuar për të marrë bonus qiraje. “Këto familje nuk janë në krye të renditjes, por familjet që janë në krye nuk kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm”, – deklaroi znj. Dhimitri.
Ndërkohë, nënkryetari tjetër i bashkisë, z. Eduard Shalsi, tha se ky komunitet ka dy veçori, të cilat e bëjnë të nevojshëm këtë vendim. “Pikë së pari, bëhet fjalë për një komunitet egjiptian dhe shteti duhet të ketë një ndjeshmëri të veçantë ndaj këtij komuniteti”, – tha z. Shalsi, duke shtuar se “këto familje kanë prej 80 vitesh në atë zonë dhe për një arsye që ne nuk e dimë, ato nuk janë pajisur kurrë me një certifikatë pronësie. Për këtë arsye, duke qenë se ky komunitet ka jetuar prej tre brezash në këtë zonë, ne mendojmë se duhet të ndihmohen”. Këtyre familjeve iu prish shtëpia nga fadromat e Policisë Ndërtimore përpara një muaji, pasi zona do të përdorej për zgjerimin e rrugës ekzistuese të Lanës.
Debati
Por përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak e kundërshtuan këtë vendim. “Këta nuk janë në krye të përfituesve sipas sistemit të pikëzimit që është përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave”, – deklaroi z. Gjergj Bojaxhi, këshilltar i PD-së në Këshillin bashkiak. “Në rast se ne e miratojmë këtë vendim atëherë krijohet një precedent dhe ne do të duhet të fusim në këtë skemë të gjithë ata që u prishet ndërtimi pa leje nga Bashkia e Tiranës, çka nuk është e mundur”. Ndërkohë, anëtari tjetër i Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Flamur Noka, deklaroi se “komisioni përkatës nuk është njohur me këtë vendim, e për këtë arsye, nuk mund të procedohet me votimin”.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe znj. Marjeta Zaçe, e cila deklaroi se sistemi i pikëzimit i krijuar për kësi rastesh duhet të zbatohet dhe nuk mund të ndryshojë nga Bashkia e Tiranës. Por vendimi mori votat e shumicës duke bërë që 36 familje të aplikonin për të marrë gjysmën e qirasë që paguajnë. Fondi përkatës i Bashkisë së Tiranës mund të mbulojë 100 familje të pastreha, por sipas përfaqësuesve të saj, nuk ka pasur aplikime të tjera për këtë projekt.