Shtohet fluksi i turistëve në Durrës
Porti përgatitet për pritjen e fluksit të emigrantëve
Policia dhe dogana hapin 18 sportele shërbimi
Në fundjavë pritet të zbarkojnë në portin e Durrësit rreth 10 mijë pasagjerë dhe mjetet e tyre, çka do të shënojë edhe fillimin e fluksit të emigrantëve, të cilët do të vijnë për të kaluar pushimet e verës në vendin e tyre të lindjes.
Porti-Dogana-Policia, masa radikale
Tre institucionet kryesore dhe përgjegjëse, për pritjen e fluksit të emigrantëve, Porti, Dogana dhe Policia Portuale, kanë marrë masat radikale dhe janë gati për përballimin me sukses të një situate të tillë. Duke folur për “standard”, shefi i Komisariatit të Policisë së Portit, Elvis Kalamishi, tha se “bazuar në informacionet nga portet italiane rezulton se këtë fundjavë në port do të mbërrijnë rreth 10 mijë pasagjerë me tragete, prej të cilëve njëri do të sjellë edhe afro 500 makina, gjë e cila na vuri përballë masave urgjente dhe ne jemi gati të përballemi me çdo situatë të rënduar”. Për të përballuar fluksin e pasagjerëve në Policinë e Portit, porti dhe dogana kanë marrë masa për çeljen e sporteleve shtesë si për pasagjerët ashtu dhe për ata që vijnë me automjete. Kështu në gatishmëri janë vënë 18 sportele të pajisura me teknikë dhe me personel policor të instruktuar për përballimin e situatave të tilla. Sipas kreut të Policisë së Portit, masat janë marrë të tilla që një pasagjeri që del nga trageti të mos i duhet të qëndrojë në port më shumë se 30 minuta. Ndërkohë në database-n e Policisë Kufitare janë pasqyruar të gjithë personat në kërkim ndërkombëtar dhe ata të shpallur në kërkim të brendshëm, si dhe të gjitha automjetet e vjedhura që janë në kërkim nga Interpoli.
Pala italiane, “ok” me palën shqiptare
Ndërkohë interesimit të Policisë së Portit të Durrësit për pritjen e emigrantëve tanë i janë përgjigjur edhe homologët e tyre italianë të Barit. Deri dje kishin mbërritur prej tyre deklaratat se “kemi gati 6 sportele në funksion të përpunimit të emigrantëve që do të nisen në drejtim të Durrësit gjatë ditëve në vazhdim”.
Personeli doganor dhe APD, në gatishmëri
Edhe Dogana e Durrësit ka marrë masa për pritjen e fluksit të emigrantëve. Në bashkëpunim me policinë do të realizohet ndarja e kamionëve të tonazhit të rëndë nga makinat e vogla të emigrantëve, në mënyrë që këta të fundit t’iu shmangen procedurave të gjata doganore me të cilat përballen kamionët e mallrave. Ndërsa APD ka marrë masa për spërkatjen me ujë të sheshit të trageteve çdo 2 orë, pasi ka nisur rikonstruksioni i tij sipas projektit përkatës dhe për pasojë krijohet pluhur në mjediset e tij.
1000 makina çdo fundjavë në fshatrat bregdetarë
Pas derdhjes së disa kamionëve me çakull si dhe një tabelë që tregon plazhin e Katundit të Ri, kanë nisur prej një jave frekuentuesit ditorë të plazheve. Atje ata gjejnë plazhe të virgjëra dhe të lira. Ka disa ditë që një tabelë në hyrje të Komunës së Katundit të Ri në rrethin e Durrësit fton pushuesit drejt bregut të detit, i cili është rreth 3 km larg nga autostrada Tiranë-Durrës. Komuna, si dhe disa subjekte private, janë munduar që në bashkëpunim me njëri-tjetrin të përmirësojnë gjendjen e rrugës, e cila të shpie në breg të detit, duke hedhur disa kamionë me çakull e me zhavorr, e duke mundësuar kështu qarkullimin e automjeteve të vogla familjare. Bëhet fjalë për plazhin “Rinia” me një shtrirje rreth 3 km gjatësi e me përbërje drurësh halorë, i cili po njeh një frekuentim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta korriku. Vetëm ditëve të shtuna dhe të diela, Policia e Qarkullimit Rrugor ka evidentuar mesatarisht 1000 mijë makina në ditë që i drejtohen bregut të detit. Në këtë pjesë të bregut të detit, plazhi është ende i lirë dhe nuk ka pronarë çadrash dhe shezlonesh që të kërkojnë para përkundrejt banjës së diellit. Në mes të pishave, një numër ambulantësh shërbejnë pije të ftohta dhe ushqime të shpejta, pasi ende dora e njeriut nuk është lejuar që të derdhë hekur e beton. Rreth 200 apo 300 metra më tutje larg vijës detare në zonën e banuar, një numër oborresh janë transformuar në parkingje për automjetet që sjellin pushuesit ditorë. Për çdo makinë të parkuar pagesa është 100 lekë. Pushuesit ditorë janë kryesisht nga Durrësi dhe Tirana. Ata kanë gjetur këtë zgjidhje për t’iu shmangur plazheve të zhurmshme dhe të mbipopulluara të Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe të Golemit, duke gjetur plazhe të qeta dhe të pastra si në pjesën e rërës, ashtu dhe brenda në ujë. Plazhi “Rinia” ndahet nga derdhja e lumit Erzen me Hamallaj, e cila ende nuk frekuentohet si e para për shkak të problemeve të infrastrukturës së rrugës. Kapaciteti i plazhit “Rinia” është më i madh se ai që shfrytëzohet momentalisht, pasi një pjesë e madhe e tij mbahet e bllokuar nga Ministria e Mbrojtjes, pasi shfrytëzohet si poligon për stërvitje ushtarake nga BRSH-ja.
Probleme me furnizimin me ujë në zonën e ish-Kënetës
Qeveria akordon 170 milionë lekë për zonën problematike
Ujësjellësi: Më 29 korrik, tenderi i hapur
Nga ARTUR AJAZI
Qeveria ka reaguar me urgjencë, duke çelur një fond të veçantë për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të banorëve të ish-Kënetës në Durrës. Plot 170 milionë lekë të reja janë dhënë nga qeveria për zgjidhjen e problemit, duke siguruar normalitetin e një zone me afro 40 mijë banorë. Mungesa e ujit prej 3-4 ditësh ka sjellë edhe reagimin e tyre. “Edhe ne kërkojmë të furnizohemi me ujë njëlloj si pjesa e vjetër e qytetit të Durrësit”. Ka qenë kjo kërkesa e banorëve të ish-Kënetës në një protestë të organizuar për problemin e furnizimit me ujë të pijshëm të kësaj zone. Ka disa ditë që kjo zonë po përballet me vështirësi për sa i përket mungesës së furnizimit me ujë, e cila ka qenë e pamjaftueshme për të furnizuar të gjitha familjet.
“Beteja” e banorëve dhe rrjeti i amortizuar nga ndërhyrjet me gjatësi prej 48 km i cili vjen nga Fushë-Kuqja deri tek stacioni Shkozetit, mbetet gjithsesi i dërrmuar nga ndërhyrjet e banorëve të komunave, nga ku kalon ai derisa vjen në Durrës. “Beteja” për ujin nis në mesditë. Me qindra familje në ish-Kënetë presin orën 14:30, prej disa ditësh, të pajisur me karroca, e elektro-pompa, gjeneratorë dhe bidonë gjithëfarëllojësh nisin “betejën” për sigurimin e ujit të pijshëm. Fillimisht ata lidhin elektro-pompat nëpër telat e korrentit, duke rrezikuar në mënyrë permanente jetët e tyre dhe nëpër tuba plastikë mbushin bidonët me ujë. Banorët e zonës kërkuan nga Ujësjellësi furnizim me ujë në orare të përcaktuara dhe me kohë më të gjatë se 40 minuta, e cila është e pamjaftueshme për të furnizuar të gjitha familjet. Banorët gjithashtu kërkuan që lidhjet plastike të ujit të zëvendësohen me tubacione normale dhe të ndërpriten të gjitha lidhjet e paligjshme. Protestuesit e ish-Kënetës treguan se ujin e marrin në tuba, të cilat përshkojnë kanalin e ujërave të zeza, duke rrezikuar shëndetin e pjesëtarëve të familjeve të tyre.
Reagimi i Ujësjellësit
Lidhur me problemin e shfaqur prej disa ditësh, drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Durrësit, Agron Islami, tha për “standard” se “këto 3-4 ditë ka pasur vështirësi në furnizimin e të gjithë Durrësit me ujë për shkak të një avarie në bllokun e burimit të Fushë-Kuqes, e cila kishte të bënte me mungesën e furnizimit me energji elektrike të elektro-pompave”. Ndërsa lidhur me perspektivën e zonës së ish-Kënetës për sa i përket problemit të furnizimit me ujë të pijshëm, drejtori i Ujësjellësit sqaroi se “qeveria ka akorduar një fond prej 170 milionë lekësh me të cilin do të sistemohet e gjithë zona e ish-Kënetës e cila do të futet në skemën tonë”. Në datën 29 korrik do të zhvillohet tenderi për këtë projekt. i cili do të zgjidhë përfundimisht këtë problem madhor me të cilin përballen mbi 40 mijë banorë të ish–Kënetës.