E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhori Kule, Universitetet duhen akredituar



Rektori i Universitetit të Tiranës ka kërkuar akreditimin e të gjitha universiteteve në vend, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin që dha Kosova. Ai deklaroi se universitetet duhet të akreditohen, pavarësisht në janë private, apo publike dhe kërkoi që të mos ketë dallim në bazë të pronësisë

Rektori i Universitetit të Tiranës, njëherësh presidenti i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, Prof. Dr. Dhori Kule kërkoi akreditimin e të gjitha universiteteve në Shqipëri, duke ndjekur si shembull reformën më të fundit të kryer në Kosovë. Veçse, ai kërkoi që kjo të mos bëhet në bazë të pronësisë së universitetit, në mënyrë që të mos favorizohet askush prej një ndryshimi të këtillë.

Prof. Dr. Dhori Kule tha se “akreditimi është i nevojshëm, veçse ai nuk duhet të bëhet vetëm për universitetet private siç ndodhi në Kosovë, por duhet bërë pa dallim, edhe për ata publik. Kush plotëson kriteret le të vazhdojë punën normalisht, të gjithë të tjerët të ndjekin procedurat për përmbushjen e kritereve, pa iu vënë drynin automatikisht”.

Sipas rektorit të universitetit më të madh në vend, akreditimi është i nevojshëm, por me disa përmirësime në krahasim me sistemin që u aplikua në Kosovë. “Në Kosovë u mbyllën universitetet, ndërsa duhet t’u jepet kohë për plotësimin e standardeve, në një formë tjetër, duke mos rrezikuar as investimin nga njëra anë e as duke rrezikuar cilësinë akademike”, – tha Prof. Kule. “Gjithashtu kjo duhet të bëhet si për universitetet publike edhe për ato private, e jo të mbahen me hatër një pjesë e universiteteve”.

Ai shtoi se "nisma e qeverisë së Kosovës, është një hap mjaft cilësor drejt realizmit faktik të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë privat. Ky është një shembull mjaft i mirë dhe për sistemin e lartë arsimor në Shqipëri, kur dihet që reformat e ndërmarra nga qeveria janë fokusuar në rritjen e standardeve". Sipas tij, shërbim cilësor në universitete është një detyrim ndaj studentëve dhe shoqërisë në tërësi. "Universitet private dhe shtetërore që operojnë në vend duhet të kontrollohen nëse i plotësojnë apo jo detyrimet ligjore, standardet për diplomat që ofrojnë etj.", - vijoi Kule. “Qëllimi i qeverisë është cilësia dhe ky është edhe qëllimi i botës akademike. Për këtë arsye, duke qenë se jemi të dyja palët në të njëjtën rrugë, do të arrihet zhvillimi i cilësisë së arsimit dhe akreditimi i universiteteve”, – tha ai.

Sistemi i akreditimit të universiteteve është një pikë e rëndësishme e ligjit shqiptar të Arsimit të Lartë. Nenet 59-62 sigurojnë cilësinë e institucioneve dhe programeve të studimeve. Ato sanksionojnë mekanizmat ligjorë për kontrollin dhe garantimin e cilësisë së diplomave, si dhe akreditimin e institucioneve dhe të programeve të studimeve që ato ofrojnë.

OKB: Kujdes me masat ndaj emigracionit

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur rezervat e saja mbi masat e marra së fundmi nga vende të ndryshme evropiane mbi fenomenin emigracion. Lidhur me këtë

një grup ekspertësh të pavarur që punojnë për këshillin e të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara kanë shprehur dje shqetësimin mbi masat e reja të Bashkimit Evropian kundër emigrantëve klandestinë, duke theksuar se ata nuk janë kriminelë dhe nuk duhet të burgosen. Madje, ata kanë mëshuar shumë të drejtave të njeriut dhe se këto shkelen nëse merren për baza zbatimi i projektligjeve që do të vihen në jetë nga vendet evropiane. Në një deklaratë të përbashkët, 10 ekspertët theksuan se i kishin shkruar Francës, që ka Presidencën e radhës së BE-së, si dhe 27 vendeve anëtare përpara një takimi të ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm të BE-së, që pritet të zhvillohet të enjten e ardhshme.

Sipas masave të miratuara muajin e kaluar në Parlamentin Evropian, emigrantët klandestinë mund të mbahen në burg për një periudhë prej 18 muajsh dhe të përballen më pas me një ndalim për të hyrë në territorin e BE-së për 5 vjet. Shtetet dhanë miratimin e tyre lidhur me ketë masë në maj.

"Shqetësimi ynë kryesor është regjimi i burgosjes ... direktiva parashikon një periudhë burgosjeje që mund të arrijë deri në 18 muaj, që është një masë e tepruar", - thuhet në një deklaratë të ekspertëve të OKB-së.

Masa e BE-së do t'i lejojë shtetet anëtare të burgosin edhe fëmijët e pashoqëruar, viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe persona të tjerë të dobët, bëhet e ditur përmes ekspertëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›