Planifikimi familjar, vetëm zonat e qytetit
Janë të pakta ato gra nga zonat rurale, të cilat janë në dijeni mbi planifikimin familjar. Këtë e pohojnë mjekët gjinekologe pranë spitalit gjinekologjik obstetrikë “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Mjekët pohojnë se më së shumti vizitat që presin çdo ditë janë nga gra dhe vajza kryesisht nga zonat urbane dhe në raste mjaft të rralla nga zonat rurale. Ndërkohë, gjinekologët pohojnë se kjo mënyrë është shumë e efikase, ndaj dhe për t’u ardhur në ndihmë, pranë këtij spitali prej kohësh funksionon një zyrë e cila ndihmon gratë dhe vajzat e reja që të marrin sa më shumë informacion mbi shtatzënitë dhe mënyrën e parandalimit të një lindje të paplanifikuar.
Me anë të kësaj metode, shumë gra nuk do të bëheshin nëna në momente të padëshiruara dhe në një farë mënyrë të kontrollosh numrin e fëmijëve. Prandaj, dita e djeshme, 18 korriku, njihet si dita e planifikimi familjar, që do të thotë të bësh aq fëmijë sa do dhe në momentin kur i dëshiron. Me këtë objektiv, drejtuesit e Shëndetit Publik kanë nisur një fushatë sensibilizimi në kryeqytet dhe në Durrës. Ata i këshillojnë të rejat të përdorin masa mbrojtëse për të shmangur shtatzënitë e padëshiruara apo transmetimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Specialistët janë përqendruar më së shumti në qytetin e Durrësit, ku dhe numri i pushuesve, veçanërisht i të rinjve është i madh, për të komunikuar se në çdo zonë dhe komunë të qytetit, shërbimi do të ofrohet falas. Këshillimi do të mund ta marrin të gjitha të rejat dhe gratë nga moshat 25-50 vjeç, në rastet kur nuk kanë mundësi financiare të kontrollojnë shëndetin e tyre.