E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi sekret, Rama në zyrën e Vladimir Kristos

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kërkuar dje kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, një pozicion të qëndrueshëm në interpretimin e Kushtetutës. Këtë gjë, Rama e kërkoi gjatë një takimi të zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese me kreun e saj pas një kërkese të bërë nga vetë kreu socialist. Gjatë një takimi, i cili ka zgjatur më shumë se 30 minuta, mësohet se kreu socialist ka vlerësuar punën e kësaj gjykate në interpretimin e Kushtetutës, për çështje që kanë pasur një rëndësi të veçantë për demokracinë në vend. Rama ka radhitur para drejtuesit të Gjykatës Kushtetuese një sërë çështjesh dhe qëndrimesh parimore të saj në interpretimin e Kushtetutës. Burime socialiste pohuan se kryetari i selisë rozë ka pohuar gjithashtu se qëndrimi dhe puna e Gjykatës Kushtetuese është vlerësuar edhe nga raportet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare dhe ka kërkuar që ajo të vazhdojë të përligjë një qëndrim të tillë. Edhe pse nuk ka folur për çështje të caktuara dhe rëndësinë e tyre, Rama është përqendruar në aktivitetin e lavdërueshëm që kjo Gjykatë ka bërë vitet e fundit.
Situata
Është hera e parë që një kryetar i Partisë Socialiste kalon pragun e Gjykatës Kushtetuese për të takuar kreun e saj të propozuar nga Partia Demokratike. Vladimir Kristo erdhi në Gjykatën Kushtetuese pas detyrës së zëvendësministrit të Drejtësisë në qeverinë Berisha. Takimi i tyre bëhet në një kohë kur Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës bëhet gati të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për referendum popullor për amendamentet kushtetuese. Socialistët e kanë cilësuar të pamundur mbajtjen e referendumit për shkak të afateve të tejkaluara dhe mungesës së 28 firmave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Por në qendër të politikës shqiptare, çështja më e debatuar e ditëve të fundit, ka qenë ajo e dekreteve të Presidentit për 5 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Vonesën e futjes së tyre në seancën plenare për t’u votuar, kryeparlamentarja Topalli e ka justifikuar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit Kuvendi duhet të vlerësojë meritat e kandidaturave, duke i bërë kështu një interpretim domosdoshmërisë së konsultimit ose jo të Presidentit me Kuvendin për to. Por kreu socialist, njëkohësisht dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, përmes Gjykatës Kushtetuese ka dalë fitimtar mbi pushtetin qendror për çështjen e “Zogut të Zi”. Ishte Bashkia e Tiranës ajo që kërkoi sqarimin e kompetencave mes pushtetit vendor dhe atij qendror për mbikalimin e “Zogut të Zi”, por dhe të kompetencave të Policisë Ndërtimore për ekzekutimin e prishjes së mbikalimit. Në të dyja rastet, Kushtetuesja i dha të drejtë Bashkisë së Tiranës, ndërsa mbikalimi u prish dhe askush nuk u dënua as për ndërtimin dhe as për shkatërrimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›