E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Tapitë e legalizimit, demagogji e radhës e Berishës

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh dje se tapitë e legalizimeve që Berisha premtoi, ishin demagogjia e radhës e kryeministrit shqiptar. 

“Shpërndarja e tapive të pronësisë në javën e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore, ishte vetëm një demagogji nga ana e Qeverisë. Sepse nuk besoj se ka ndonjë banor këtu në zonën e ish-Kënetës, që ka marrë dokumentin e legalizimit të shtëpisë”, tha Meta. Sipas tij, Berisha premtoi para dy vjetësh se do niste shpërndarjen e tapive të reja. “Ju të gjithë e dini shumë mirë që Berisha kur u bë ligji në 2006-ën premtoi se brenda 6 muajve do të shpërndante dokumentet e reja të pronësisë, bazuar në këtë ligj për legalizimet, sepse shumë prej jush me të drejtë keni këtë problem madhor të legalizimeve dhe i gjithë ky proces u shndërrua në plotësime formularësh, që kanë përfunduar në zyrat e ALUIZNI-t, por që nuk janë kthyer në tituj pronësie për të gjithë ata që kanë shpresuar”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së u shpreh mosbesues për realizimin e këtij procesi, sepse, sipas tij, ky proces nuk ka ndodhur rastësisht, as thjesht për arsye burokracie, por kjo ka ndodhur se Qeveria e Berishës, si qeveria e demagogjisë, si Qeveria që nuk zgjidhi asnjë problem që u premtoi shqiptarëve në korrik të 2005, nuk kishte pikë dyshimi që nuk mund të zgjidhte këtë problem kaq të madh dhe kaq të komplikuar, sikurse është kjo e pronësive. Kreu i LSI-së e cilësoi antikushtetuese marrjen e kompetencave të pushtetit vendor nga ALUIZNI. “Ndryshimet e fundit që ndodhën e shndërruan ALUIZNI-n nga një institucion rregullator, në një institucion me kompetenca tërësisht edhe anti-kushtetuese, duke marrë kështu përgjegjësitë dhe kompetencat e bashkive dhe të njësive të qeverisjes vendore, të cilat janë të përcaktuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si përgjegjëse kryesore të administrimit të territorit”, theksoi Meta. Gjithashtu ai shprehu habinë përse të gjitha të ardhurat nga ky proces të menaxhohen nga ALUIZNI, kur institucion përgjegjës për gjithë këtë proces të rëndësishëm është pushteti vendor. “Të ardhurat nga ky proces nuk i marrin më njësitë e pushtetit vendor për të pasur sa më shumë investime për urbanizimin e këtyre zonave, por këto të ardhura tani i merr ALUIZNI. Pra, këto fonde i duhen pushtetit vendor, i cili është dhe përgjegjësi kryesor për menaxhimin e gjithë këtij procesi”, përfundoi Meta.   a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›