E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nexhat Bizhdili kërcënon me bojkot

 Presidenti i skuadrës së besës, Nexhat Bizhdili ka paralajmëruar zyrtarët e FSHF-së se nëse Komisioni i Disiplinës nuk mblidhet sot për të vendosur për incidentin në takimin Flamurtari-Besa 1-0, ai nuk do të pranojë që ekipi i tij të luajë kundër Skënderbeut nesër në ndeshjen e prapambetur. Drejtuesi i lartë i klubit kavajas, i cili ndodhej dje paradite në FSHF, ka theksuar edhe njëherë se Besa meriton pikët në tavolinë, pasi sipas tij u shkelën të gjitha rregullat dhe se veprimi i kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, që është njëherazi edhe presidenti i klubit të Flamurtarit kaloi çdo limit. Në një prononcim për mediat dje në zyrat e FSHF-së, Bizhdili akuzoi drejtuesit vlonjat se ajo që ata bënë ishte edhe një “show” për qëllime elektorale. “Absolutisht duam fitoren në tavolinë. Në ndeshjen kundër Flamurtarit u shkelën të gjitha rregullat dhe këtë e bëri pikërisht i pari i këtij klubi Shpëtim Gjika me stafin e tij. Nuk e kuptoj se si mund të hyjë një kryebashkiak në fushë dhe t’i bëjë presion arbitrit. Jo vetëm kaq, por Geri çipi e ka goditur gjyqtarin. Unë shpresoj shumë që arbitri dhe delegati i ndeshjes ta pasqyrojnë si duhet atë që ndodhi, sepse nëse ndodh kështu, absolutisht Besa meriton fitoren në tavolinë. Ne duam vetëm drejtësi dhe nëse kjo nuk ndodh, ju siguroj se Besa nuk do të luajë të mërkurën ndaj Skënderbeut. Ne nuk mund të lejojmë që ai i Gjikës të shndërrohet në precedent dhe të penalizohemi gjithnjë”, ka pohuar Bizhdili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›