PSD: “Do ta mbështesim referendumin”
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, sqaroi dje arsyen e mungesës së tij në protestën e LSI-së, e cila u zhvillua në 10 maj në sheshin “Skënderbej”. Edhe pse ka qenë një ndër firmëtarët e deklaratës së Komitetit Kombëtar për mbrojtjen e Kushtetutës, Gjinushi nuk e ka parë të arsyeshme të jetë pjesë e kësaj proteste. “Socialdemokratët e mbështesin referendumin popullor, të iniciuar nga LSI për ndryshimet kushtetuese, por politikisht ata do të vazhdojnë të mbeten kundërshtarë”.
“Absolutisht është një mungesë jo pa dashje, sepse ky është një aktivitet kryesisht i LSI-së, pra nuk është i Komitetit. Komiteti pikërisht ka sensin për të thënë që kërkesa për referendum nuk është një kërkesë që patjetër i kundërvihet njërit apo tjetrit, është një kërkesë e ligjshme, është një e drejtë e shqiptarëve të shprehen për ndryshimet thelbësore në Kushtetutë dhe ne duhet ta mbështesim të gjithë, qoftë dhe ata që kanë votuar pro ndryshimeve për një arsye apo një tjetër”, - deklaroi kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi.
13 Maj 2008