E Diel, 1 Nëntor 2026

Prostitucioni, shiste trupin, kapet adoleshentja dhe pronarja e lokalit



POGRADEC - Dy vajza janë arrestuar nga Policia e Pogradecit pasi akuzohen për ushtrim prostitucioni. Lajmi është bërë i ditur nga policia lokale. Sipas këtyre burimeve, arrestimet janë bërë në kuadrin e operacionit të koduar "Liqeni". Nga të dhënat është mësuar se Policia e Pogradecit prangosi rreth orës 20:30 të dy ditëve më parë shtetasen V. Sh., 19 vjeçe, banuese në një fshat të Korçës dhe Pranvera Balliu, 46 vjeçe, lindur dhe banuese në qytetin e Pogradecit. Policia sqaroi se 19-vjeçarja V. Sh. ushtronte prostitucionin në lokalin e shtetases Pranvera Balliu, në qytetin e Pogradecit. Nga burimet është mësuar se, hetimet ndaj kësaj baze prostitucioni kishin filluar një muaj më parë. Informacioni ishte marrë në rrugë operative nga ana e oficerëve të antitrafikut, të cilët më pas kishin mbajtur nën vëzhgim pronaren e lokalit dhe vajzën e cila shiste trupin kundrejt parave. Pas hetimeve ata kanë ndërmarrë dhe operacionin e koduar “Liqeni”, i emërtuar kështu pasi lokali ndodhej në buzë të liqenit të Ohrit. Policia ka zbuluar dhe fakte të tjera për këto arrestime. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se vajza ishte punësuar si kameriere, por njëkohësisht shiste dhe trupin me para për personat që ishin të interesuar. Ndërmjetësja ishte gjithmonë pronarja e lokalit, Pranvera Balliu, ajo që gjente klientët dhe paratë ndaheshin mes dy grave. Ndërkaq, një person duhej të paguante shuma të ndryshme parash për shërbimet që do të merrte. Shumat e parave nuk janë bërë të ditura nga policia, pasi janë ende duke vazhduar hetime. Gjatë këtij viti, Policia e Qarkut të Korçës ka goditur tri baza prostitucioni, dy në qytetin e Korçës dhe kjo e fundit në qytetin e Pogradecit.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›