E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e energjisë, OSSH-ja nis kontrollet te abonentët



Faturimi i energjisë elektrike jo gjithmonë vjen i saktë, madje në mjaft raste faturuesit e energjisë nuk e shohin aparatin që mat energjinë e shpenzuar. Qytetarët e Tiranës thonë se ky është një fenomen i shpeshtë, me gjithë ankimet që ata kanë bërë, në disa raste problemi është zgjidhur dhe në raste të tjera është lënë në harresë. Por jo të gjithë kanë pasur shqetësime me faturimin e gabuar. Mjaft qytetarë të tjerë shprehen të kënaqur, pasi nuk i ka ndodhur të kenë paguar më shumë sesa u takon sasi të energjisë elektrike. Por ka dhe raste të veçanta, siç janë familjet që e paguajnë energjinë në mënyrë aforfe. Për ta, edhe sikur të mos konsumojnë fare energji, fatura do të bëhet në shumën unike. Por OSSH-ja do të nisë kontrollet e saj për rreth 1 milion abonentë të energjisë elektrike, nëse vjedhin energji apo jo. Ky proces do të përfundojë brenda 3-mujorit të parë të këtij viti, ku do të përfshihen abonentët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, si dhe tek abonentët familjarë, buxhetorë e jobuxhetorë. Azhornimi i të dhënave në terren do të përfshijë adresat e abonentëve, të dhënat teknike për sistemin e matjes në terren si pika e lidhjes, matësi, vula dhe transformatori. OSSH-ja bën të ditur se me regjistrimin e abonentëve do të bëhet i mundur edhe verifikimi dhe kryerja e ndërprerjeve të energjisë elektrike në rast se abonentët rezultojnë debitorë apo nuk janë të pajisur me dokumentacionin përkatës. Për këtë, OSSH-ja ka përgatitur edhe formularë në formë blloqesh të titulluar "Raport azhornimi" (në 3 kopje), ku grupet që janë në terren, të cilat do të kenë në dispozicion këtë formular një kopje të tij me këto të dhëna do t'ua lënë abonentëve.

KESH-i nis eksportin e energjisë elektrike me Greqinë

Ditën e enjte, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të nisë eksportin e energjisë elektrike. Drejtori i Divizionit të Prodhimit, Muharrem Stojku, bën të ditur se energjia do t’i shitet Greqisë nëpërmjet kompanisë shtetërore të energjisë. Bëhet fjalë për një sasi prej 2 milionë kilovatë-orë në ditë, e cila do të eksportohet duke nisur nga data 22 janar për rreth një muaj e gjysmë. Burimet zyrtare në KESH-it bëjnë të ditur se energjia do të shitet me çmimin që është në bursën e Athinës, duke zbritur nivelin e humbjeve në rrjetin e transmetimit. Sipas drejtuesve të korporatës, fillimi i eksportit të energjisë u bë i mundur falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend, për shkak të reshjeve të bollshme. Nga të dhënat e KESH-it rezulton se niveli i Fierzës ka arritur në 283.6 metra, duke qenë vetëm 6 metra larg kufirit maksimal. Ndërkohë që prurjet e ujit llogariten në rreth 240 metra kub në sekondë. Situata e mirë hidrike ka mundësuar një nivel të lartë të prodhimit të energjisë, që ka arritur në 16 milionë kilovatë-orë në ditë. Ndërkohë që 5 milionë kilovatë-orë të tjerë importohen. Drejtuesit e KESH-it shpjegojnë se importi po vazhdon, pavarësisht se do të nisë eksporti, pasi janë lidhur që më përpara kontratat me kompanitë, të cilat duhet të respektohen. Me tenderin e zhvilluar në fund të dhjetorit është siguruar importi i të gjithë sasisë së energjisë që duhet deri në fund të marsit.

Italia jep 30 milionë euro kredi për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri

Ndërmarrjet e vogla e të mesme po mbështeten këtë vit me fondin me vlerë 30 milionë euro nga qeveria italiane për Programin e Kreditimit, çka rrit mundësinë e mëtejshme të zhvillimit të tyre. “Ky program, i nisur në fund të 2008-s, që do të mbështesë me fonde garancie SME-të në vend, është hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në bashkëpunim me Koperacionin Italian", - tha drejtori i Departamentit të SME-ve dhe Eksportit në "Albinvest", Gavril Lasku. Sipas tij, me anë të këtij projekti financohen kreditë për investime të SME-ve kryesisht në fushat e prodhimit dhe agrikulturës. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vlerësohen si nxitëse të rritjes së nivelit të punësimit dhe indirekt, në uljen e nivelit të varfërisë. Nisur nga kjo shkallë rëndësie, SME-të janë përfshirë në një program zhvillimi të shpejtë 5-vjeçar të Ministrisë së Ekonomisë, që synon rritjen e konkurrueshmërisë së SME-ve në vend dhe në tregjet rajonale. Deri në vitin 2013 parashikohet realizimi i disa objektivave në terma afatmesme dhe afatgjata, ku ndër kryesorët mbeten rritja e numrit të të punësuarve 5 për qind në vit, rritja 15 për qind e numrit të ndërmarrjeve në vit, rritja e kreditimit dhe e aftësisë mikrokredituese gjatë 4 viteve me 3-4 herë më shumë, si dhe ngushtimi i vazhdueshëm i sektorit informal. "Albinvest" do të zbatojë edhe gjatë vitit 2009 dy programe të qeverisë; "Projektin e grandeve për promovimin e SME-ve në fushën e eksportit", për të cilin çdo vit qeveria jep 25 milionë lekë për këto grande, si dhe programin "Fondi i garantimit të kredive për eksport", me një fond prej 2 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›