Malaj: Qeveria po keqpërdor buxhetin nën ethet elektorale
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se po tregon paaftësi në menaxhimin e krizës ekonomike. Ish-ministri i Financave, deputeti Arben Malaj, i kërkoi qeverisë që masat antikrizë të mos jenë manovra për efekte elektorale. “Për Partinë Socialiste, përballimi me përgjegjësi i kësaj situate të rënduar ekonomike nuk është një ballafaqim thjesht elektoral, por një sfidë kombëtare, të cilën qeveria jo vetëm që nuk po e përballon dot, por nën ethet elektorale dhe me keqpërdorimet buxhetore në rritje po e bën më të rëndë për të gjithë shqiptarët”, tha Malaj. Deputeti socialist radhiti disa nga mangësitë dhe defektet e vërejtura nga qeveria për të përballuar krizën ekonomike që po trondit vendin. “Në kushtet kur kriza është thelluar në të gjitha vendet partnere tregtare të Shqipërisë, ajo do të rrezikojë akoma më shumë ekonominë e vendit tonë. Kreditimi i biznesit dhe konsumatorit është bërë ose i pamundur ose më i shtrenjtë, ristrukturimi i kredive të pakthyera ose në vështirësi duhet të shihet si një mundësi për të zbutur krizën ekonomike dhe sociale”, tha Malaj. Sipas tij, “asnjë institucion ndërkombëtar nuk mund t´i ofrojë qeverisë shqiptare fonde, nëse ajo vazhdon të manifestojë keqpërdorim të buxhetit të saj. Rënia e thithjes së fondeve nga donatorët është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vizionit, profesionalizmit dhe përgjegjësisë nga qeveria shqiptare”. Malaj e konsideroi antiligjor bllokimin e rimbursimit të TVSH-së ndaj biznesit edhe atij të vogël, i cili ndodhet në kushtet e mbijetesës.