Shpërndante drogë në lokale, vihet në pranga i riu
ELBASAN - Shpërndante lëndë narkotike nëpër lokale të ndryshme të qytetit, bie në pranga i riu. Operacioni policor “Bardhë e zi” ka çuar në arrestimin e 20-vjeçarit Nelson Peqini, lindur dhe banues në qytetin e Elbasanit, për të cilin burimet policore konfirmojnë se është kapur në flagrancë me porcione droge gati për shpërndarje. Arrestimi i tij u bë në mjediset e një lokali në qytetin e Elbasanit me 7 tableta të mbështjella me letër varaku, brenda së cilës gjendej një masë në gjendje pluhuri me ngjyrë të kuqërremtë, e cila për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të lëndës narkotike e llojit heroinë, më peshë rreth 3 gramë. Në lidhje me këtë ngjarje po punohet për dokumentimin e plotë të saj, si dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, e cila parashikohet nga Neni 283/2 i Kodit Penal.
Vodhën kopshtin, pranga tre të miturve
LAÇ – Vodhën kopshtin e fëmijëve, vihen në pranga tre të miturit, një tjetër shpallet në kërkim. Forcat e Policisë së Laçit kanë mundur të vënë në pranga tre persona, të cilët dyshohet se kanë vjedhur me thyerje në bashkëpunim me njëri-tjetrin Kopshtin Nr. 2 të fëmijëve të këtij qyteti. Policia e këtij qyteti bën të ditur se të ndaluarit janë M. B., 16 vjeç, banues në Laç; S. M., 17 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në fshatin Gorre të Kurbinit; P. Gj., 15 vjeç, banues në qytetin e Laçit, si dhe është bërë shpallja në kërkim e M. P., i cili ka qenë bashkëpunëtor në këtë vjedhje. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e duhura procedurale, ku rezultoi se dera e jashtme e këtij kopshti ishte hapur me forcë, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kurbinit për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.
3 Shkurt 2010