Vrasësi i trefishtë i Vidohovës përballët me gjykatën, “burg pa afat”
KORÇË – Autori i vrasjes së trefishtë në Vidohovë të Devollit është përballur dje për herë të parë me drejtësisë. Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Korçës dha masën e sigurisë “Burg pa afat” për Besim Karajn, personin që vrau disa ditë më parë tre vëllezërit Mulliri. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se seanca e parë u zhvillua dje, vetëm 24 orë pas vetëdorëzimit të vrasësit. Në ndryshim nga raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit, burime për gazetën bëjnë të ditur se Karaj është dorëzuar me dëshirën e tij në komisariatin e policisë së Fushë Krujës. Madje, ai ka lëvizur lirisht nga Devolli në drejtim të shtëpisë së prindërve të tij, në Thumanë, me linjën e trenit Pogradec-Milot. Dëshmitë e shumta që kanë dhënë vetë autori i krimit, por edhe familjarë dhe të afërm të tij, kanë zbardhur rrethanat e krimit misterioz, i cili lindi për shkaqe xhelozie.
Masa
Gjykata e Korçës vendosi dje masën e arrestit 'burg pa afat' për Besim Karajn, personin e akuzuar për vrasjen e tre vëllezërve Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit. Procesi është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Në sallën e gjyqit, Karaj ka qenë thuajse i vetmuar, pa praninë e bashkëshortes apo familjarëve të tjerë. Prokurori i çështjes paraqiti akuzën që rëndon ndaj tij, “vrasje” në rrethana të cilësuara, ndërsa vrasësi i trefishtë i Vidohovës nuk ka bërë asnjë koment për ngjarjen në sallën e gjyqit. Policia e Shtetit ka marrë masa edhe për mbrojtjen e familjarëve të Besim Karajt nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme.
Vetëdorëzimi
Dy ditë më parë zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit u shfaqen para kamerave, duke listuar si sukses arrestimin e të shumëkërkuarit Besim Karajt. Ditën e hënë policia njoftoi se ka vënë në dispozicion 30 mijë euro për personat që japin informacione për vendndodhjen e tij. Por, përtej sukseseve të policisë për gjetjen dhe prangosjen e Karajt, historia është shumë e thjeshtë. Pasi ka kryer krimin, ai ka qëndruar për më pak se 24 orë në mal, fare pranë fshatit Vidohovë, dhe më pas, i shumëkërkuari ka nisur udhëtimin drejt Thumanës, si një qytetar i zakonshëm i patrazuar nga forcat e rendit. Burime për gazetën pohojnë se ai ka udhëtuar me linjën e trenit, Pogradec-Tiranë-Milot dhe më pas ka qëndruar i fshehur në shtëpinë e vëllait të tij, në vendin e lindjes. Ndonëse ishin bërë kontrolle edhe në Thumanë, askush nuk ka arritur të identifikojë vendin se ku fshihej. I ndodhur përballë presioneve të familjarëve, medias dhe opinionit, Besim Karaj ka vendosur të dorëzohet në polici. Burime për gazetën pohojnë se ka qenë vetë ai që ka marrë në telefon një drejtues të policisë së Krujës, ku i ka thënë se ka vendosur që të dorëzohet.
Historia
Ditën e mërkurë në mesditë, Besim Karaj, i ndodhur nën një presion të madh psikologjik, pas thashethemeve të përhapura në të gjithë fshatin e Vidohovës se gruaja e tij flirtonte me një nga djemtë e familjes Mulliri, ka marrë automatikun dhe ka qëlluar ndaj tre djemve të kësaj familje. Dy prej tyre, gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa Etlevani 17-vjeçar u plagos rëndë dhe për shkak të plagëve, gjeti vdekjen dy ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Madje, sipas dëshmive, thuhej se bashkëshortja e Karajt, lindur dhe banuese në Vidohovë kishte edhe një fëmijë me njërin nga fëmijët e çiftit Mulliri. Menjëherë pas vrasjes, babai i viktimave deklaroi se kishte njoftuar policinë për kërcënimet e vazhdueshme për rreth dy muaj që Besim Karaj kishte bërë ndaj anëtarëve të familjes së tij. Drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit pohuan se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të hetojë për këtë version të ngritur nga Xhevahir Mulliri. Vrasja e trefishtë ndodh në një periudhë kur ka një rritje të ndjeshme të krimeve në Shqipëri. Statistikat e javës së fundit flasin për të paktën dy persona të ekzekutuar në ditë në shkallë vendi.
3 Shkurt 2010