Kriza financiare i kushton SHBA-ve 1 triliardë dollarë
Qeveria amerikane vendosi së fundi të shtetëzojë kompani e asete me vlerë 1 triliardë dollarë, si masë për shpëtimin e vendit nga kriza më e thellë financiare në një shekull. Ndërhyrja e qeverisë në blerjen e kompanive private është hap i paprecedent i qeverisë amerikane. Plani i qeverisë amerikane solli një rritje dramatike të deficitit buxhetor të vendit si dhe dobësim të shpejtë të dollarit amerikan kundrejt të gjitha monedhave të tjera. Dollari ra dje deri në 1.467 dollarë për euro, kur qe në kuotën e 1.42 të enjten e kaluar. Tashmë ka filluar dhe lufta politike në kongres, ku plani i blerjes së aseteve të këqija të bankave nga ana e qeverisë, do të duhet të miratohet gjatë javës. Por kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi, deklaroi se megjithëse propozimi i Bush do të diskutohet, kongresi nuk është se thjeshtë do të firmosë një çek të bardhë për Wall Street. Kongresmenët janë duke debatuar se kush mund të përfitojë nga ndihma shtetërore dhe në çfarë mase. Alan Greenspan, kryemjeshtri i menaxhimit të tregjeve, komentoi krizën aktuale financiare si “ngjarje që ndodh një herë në shekull”. Depresioni i Madh filloi më pak se 80 vjet më parë, por gjithsesi ne jemi në një shekull të ndryshëm. Nuk është e sigurt nëse deri në vitin 2099 botës nuk do t'i ndodhë asgjë më e keqe, por fakti që asgjë kaq e tmerrshme nuk ka ndodhur në 80 vjetët e fundit, është mbresëlënëse. Të gjithë ekonomistët janë dakord se që nga Lufta e Dytë Botërore e pas nuk ka patur një recesion të përmasave si ato të viteve '30, por jo të gjithë janë të bindur se një i tillë ka filluar.
Si erdhi kriza financiare ndërkombëtare
Në fillim të këtij viti, rënia e çmimeve të pronave të paluajtshme në SHBA si dhe rënia e të ardhurave të popullatës bëri të qartë për botën se shumë prej njerëzve që kishin marrë kredi për shtëpi nuk mund të shlyenin më këstet e tyre mujore. Për pasojë, bankat u detyruan të klasifikojnë si kredi të këqija asete prej miliarda dollarësh. Shumica e bankave dolën me humbje dhe u detyruan të shkurtojnë forcën e tyre punëtore. Për shkak se bankat kishin blerë kreditë e njëra-tjetrës, kriza amerikane përfshiu shumë institucione financiare në të katër anët e botës. Për të mbuluar humbjet, institucionet financiare iu drejtuan tregjeve për të grumbulluar kapital të ri. Por për disa banka, si “Lehman Brothers”, nuk u gjetën dot blerës. Qeveria amerikane ndërhyri fillimisht pjesërisht duke blerë kompanitë që privatët nuk pëlqenin t'i blinin, ndërsa tani ka ndër mend të blejë të gjitha asetet e rrezikuara.
Kriza aktuale në SHBA, si ajo e viteve ‘30
Karakteristika kryesore që e bën krizën e tanishme të ngjashme me Depresionin e Madh, është ndërhyrja masive e qeverisë, shtetëzimi i kompanive të rrezikuara dhe nxjerrja në faliment e atyre bankave të konsideruara “më pak të rëndësishme” për ekonominë amerikane. Tashmë, Ken Lewis, bosi i “Bank of America”, deklaron se më pak se gjysma e 8500 bankave që SHBA-të kanë sot, do të arrijnë të mbijetojnë nga kriza aktuale. Në vitet '28-'30, patën falimentuar 11 mijë banka. Por, në dallim me atë kohë, tashmë shihet se qeveria federale e SHBA-ve ka përmasa shumë herë më të mëdha sesa tregjet financiare.
Ekspertët flasin për një ristrukturim madhor tregjesh financiare në SHBA
Dy bankat më të mëdha amerikane të investimeve kanë ndryshuar statusin dhe kanë filluar të pranojnë depozita në kuadër të asaj që po shihet si faza më e fundit e një ristrukturimi madhor të tregjeve financiare në Shtetet e Bashkuara. Kjo lëvizje u jep bankave “Goldman Sachs” dhe “Morgan Stanley” mundësinë për t'u ndihmuar nga banka qendrore, por e shton edhe mbikëqyrjen e tyre nga rregullatorët e bankës. Korrespondentët thonë se këto ndryshime shënojnë fundin e imazhit tradicional të qendrës financiare Wall Street. Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Henry Paulson, i ka kërkuar Kongresit të shpejtojë miratimin e planit 700 miliardë dollarësh të administratës amerikane për shpëtimin e institucioneve financiare. "Kjo është një ndërhyrje e madhe nga shteti. Unë mendoj se kjo është një kohë e paprecedent. Sistemi ynë rregullator nuk funksionon, ai ka mangësi. Unë asnjëherë nuk kam menduar se filozofia e ndërhyrjes është gjë e mirë, por po ju them se në këtë moment është e nevojshme", - tha sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Henry Paulson. Zoti Paulson u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin amerikan për zgjidhjen e krizës financiare globale. Plani i daljes nga kriza është shoqëruar edhe me kritika. Të dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama dhe Xhon Mekein, kanë kërkuar kontroll të pavarur të zbatimit të këtij plani.
24 Shtator 2008