Ndërkombëtaret: Kriza financiare mund rrezikije Shqiperine
Ervin Koçi
Edhe pse mund të dukej si spontane, Fondi Monetar Ndërkombëtar u ka bërë paralajmërime të qarta dhe specifike autoriteteve financiare të shtetit shqiptar lidhur me krizën financiare që po prek botën. Përplasja e deklaratave zyrtare ka ardhur nga ana e përfaqësuesit të FMN-së nisur nga qëndrimi më i fundit i bërë nga Banka e Shqipërisë, e cila u shpreh pak ditë më parë se “ekonomia shqiptare dhe sistemi i saj bankar janë jashtë rreziqeve ndërkombëtare dhe nuk ndikohen nga to”. Përfaqësuesit e FMN-së nuk ndajnë kurrsesi të njëjtin mendim me autoritetet më të larta të BSH-së, prandaj nuk kanë ngurruar që të bëjnë edhe paralajmërimin më të fundit, shoqëruar me rekomandime, përpara largimit nga Shqipëria. Sipas përfaqësuesit të FMN-së për Shqipërinë, Gervin Bell, "situata financiare ndërkombëtare është përkeqësuar kohët e fundit dhe duke qenë se Shqipëria është gjithnjë e më tepër një partnere në ekonominë globale, ajo duhet të jetë e matur, aq më tepër që viti që vjen është edhe një vit elektoral". Për këtë, Fondi i ka këshilluar BSH-së që të monitorojë me kujdes situatën në tregjet ndërkombëtarë dhe të shpejtojë në marrjen e masave të sigurisë për sistemin bankar në vend, me qëllim që të mos gjenden të papërgatitur përballë çdo situate kritike që mund të shfaqet në të ardhmen. Për sa i përket situatës financiare dhe ekonomike në vend, FMN-ja vlerëson se inflacioni u është rikthyer objektivave të parashikuara nga Banka e Shqipërisë.
Rekomandimet
FMN-ja shtoi më tej se, "një pozicion fiskal më i shtrënguar do të ndihmonte në mbajtjen në kontroll të inflacionit, siç edhe ka ndodhur në këtë pjesë të vitit". Më tej, përfaqësuesi i FMN-së, Bell, u shpreh se përsa i përket projektbuxhetit të vitit 2009, mbajtja e një niveli të matur të deficitit të buxhetit në rreth 3-3.5 për qind të GDP-së do të ruante stabilitetin makroekonomik. Bell vlerësoi si të rëndësishme edhe rregullat e fundit që shtrënguan huamarrjen në valutë, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, të cilat do të ulin nivelin e rritjes së kreditimit dhe në këtë mënyrë do të kufizojnë edhe deficitin e llogarisë korente. Përsa i përket informalitetit, përfaqësuesi i FMN-së rekomandoi ndërmarrjen e një reforme në fushën e pensioneve nga ana e qeverisë, e cila, sipas të tij, do të krijonte një lidhje më të fortë mes kontributit dhe përfitimit. “Marrëveshja jonë përfundon në janar. Por për të ardhmen është mjaft e rëndësishme që të ketë ndonjë rregull fiskal apo mekanizëm fiskal në mënyrë të ngjashme me objektivin e inflacionit që ka Banka e Shqipërisë në mënyrë që kjo të japë sinjal se çfarë synon politika fiskale dhe të limitojë atë. Ky rregull duhet të miratohet nga qeveria dhe të funksionojë kur misioni i Fondit të mos jetë më këtu”,- u shpreh Gervin Bell.
Situata ekonomike
Ekonomia shqiptare po përjeton momentet e saj më të vështira në 18 vitet e tranzicionit të saj. Kjo si pasojë e shumë faktorëve, ku ndër më të rëndësishmit renditet ai i të ardhurave nga emigracioni. Shqetësimi i cili në dukje është i vogël, përbën rolin kryesor në ecurinë e mëtejshme të ekonomisë së vendit. Banka e Shqipërisë e evidentoi këtë dukuri në muajt e parë të këtij viti, fenomen ky i cili u shfaq për herë të parë në vendin tonë. Të dhënat e fundit të Institucionit Mbikëqyrës Bankar (IMB) të BSH-së, thonë se gjatë pjesës së parë të vitit 2008 të ardhurat nga emigrantët kapën vlerën e 435 milionë eurove, duke shënuar në këtë mënyrë një rënie prej 7.3 për qindësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekspertët shpjegojnë se, kjo tendencë mund të ketë lidhje me investimet që po kryejnë emigrantët shqiptarë në vendet e huaja, ku aktualisht ata punojnë dhe jetojnë. Sipas BSH-së, rezulton se rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Ky është një tjetër fakt i hidhur për vendin tonë, i cili dëshmon më së miri se niveli i papunësisë në vend është tepër i lartë. Sipas BSH-së, më të prekur nga ky fenomen janë banorët e zonave rurale. Të dhënat bankare konfirmojnë se një situatë e tillë do të sjellë pasojat e saj edhe në ekonominë e vendit, pasi nëpërmjet të ardhurave të tyre financohet pjesa më e madhe e deficitit tregtar, një tregues që aktualisht ka arritur nivele alarmante, duke kapur shifrën 25.6 miliardë lekë. Sipas studimit, me të ardhurat e emigrantëve janë financuar rreth 39.2 për qind e deficitit tregtar, që do të thotë me rreth 50 për qind që mbulonin gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, po me të ardhurat e emigrantëve jetojnë mbi 189 mijë familje, ose ndryshe 26 për qind e totalit të familjeve në vendin tonë.
Ndryshimet në tregun shqiptar të valutës, pasojë e ngjarjeve ndërkombëtare
Ndryshimet që kanë ndodhur në tregun e valutës janë pasojë e ngjarjeve në tregjet ndërkombëtare, që janë reflektuar edhe në tregun shqiptar. Kjo ka ndodhur për shkak të falimentimit të dy prej bankave më të fuqishme në Amerikë, “LEHMAN BROTHERS” dhe “FEDI MEIL”. Kështu, një dollar në tregun e valutës është blerë në fundjavë me 85.4 lekë dhe është shitur me 85.9 lekë, një euro blihet me 123.5 lekë dhe shitet 124 lekë. Ndërsa Paundi anglez blihet me 156 lekë dhe shitet me 156.5 lekë. Ndërsa, leku shqiptar nga java që është mbyllur dhe ditët në vazhdim, ka një dobësim kundrejt monedhave të huaja. Specialistët e financës thonë se, kjo ka ardhur si pasojë e tre shkaqeve: 1) të largimit të emigrantëve, 2) mbarimit të prodhimit vendas dhe 3) parapërgatitjes për anën tregtare për fundvitin.
.
24 Shtator 2008