E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza financiare, investitorët të pasigurt

Autori i Lajmit: red.
Tri javë më parë, Kongresi amerikan miratoi paketën historike të shpëtimit financiar prej 700 miliardë dollarësh. Por kreditorët dhe investitorët vazhdojnë të jenë të pasigurt për të ardhmen. Treguesi kryesor i bursës, Dau Xhons, vazhdon lëkundjet e pakontrolluara për shkak të nervozizmit të investitorëve, të cilët presin të shohin se ç drejtim do të marrin zhvillimet në ekonomi. Por çfarë mendojnë ekspertët rreth këtyre lëkundjeve dhe të tregut dhe ç duhet bërë, sipas tyre, për të rivendosur qëndrueshmërinë. Për javë të tëra, nervozizmi ka përfshirë agjentët, tregtarët dhe investitorët e bursave, ndërkohë që këto kanë shënuar nivele historike të uljes apo ngritjes. Më 29 shtator, treguesi kryesor i bursës, Dau Xhons, ra 777 pikë, rënia më e madhe ditore në histori. Më pas, më 13 tetor, ky tregues pati një rritje prej 936 pikësh. Që atëhere, Dau Xhonsi vazhdon lëkundjet e forta. Barri Uod, korrespondent i Zërit të Amerikës për çështjet ekonomike, thotë se falimentimi i firmave gjigante të investimeve, si Bear Stearns, shkaktoi panik, i cili solli më pas rënien e shpejtë në vlerën e aksioneve. “Ka pasur disa rënie, të cilat kanë qenë marramendëse. Njerëzit nuk e dinë nëse aksionet, të cilat kanë rënë 45% nga vlera maksimale e vitit të kaluar, kanë arritur tashmë fundin apo do të bien edhe më”, - pohon Uod. Ai thotë se ka qenë ankthi ai që ka çuar në paqëndrueshmërinë e tregut. “Pra, pasiguria, frika, e gjithë kjo ka sjellë paqëndrueshmëri. Njerëzit, gjithashtu, kanë nevojë për para, prandaj ata shesin aksione nëse kanë të tilla. E gjithë kjo ndikon në paqëndrueshmërinë”, - shton ai. Bill Barker është analist pranë firmës “Motley Fool”, që jep këshilla financiare për klientët. Edhe ai mendon se nervozizmi rreth hollësive të planit qeveritar të shpëtimit financiar ka çuar në rënien e bursës së aksioneve. “Kur paketa financiare u shfaq përherë të parë si një ide e shprehur në një dokument prej tri faqesh, aty flitej se Qeveria do të blinte kreditë e këqija nga bankat. Pas një jave apo një jave e gjysmë, kur u hodh në votë, ajo ishte shndërruar në një dokument prej qindra faqesh që përfshinte një paragraf rreth injektimit nga Qeveria të parave nëpër banka. Forma ndryshoi me shpejtësi. Kjo është njëra nga arsyet që tregu e pëlqeu këtë njërën ditë dhe reagoi negativisht ditën tjetër”, - thotë ai. Zoti Barker shton se investitorët duan një sistem financiar amerikan të stabilizuar që bankat ta kenë më të lehtë për të ofruar kredi. Sipas tij, tregjet e kreditit po zhbllokohen, por nuk po funksionojnë ashtu siç do t i dëshironim ne. Kur kjo të arrihet, kur si kompanitë edhe individët të mund të marrin kredi si më parë, gjërat do të përmirësohen. “Ajo që na duhet më shumë është stabiliteti, një periudhë disajavëshe ku të mos kemi ndonjë falimentim banke apo kompani financiare në vështirësi”, - pohon analisti Bill Barker. Ai shprehet më tej se shumë investitorë do të bënin mirë të merrnin shembull nga miliarderi amerikan Uorren Bufet, i cili tregohet i kujdesshëm në investime dhe tani po i këshillon të tjerët të ruajnë qetësinë. Ai tani po ble aksione kompanish me cilësi të lartë, por të cilave tani u ka rënë vlera. Kjo është një mënyrë investimi, e cila për të ka pasur sukses. Në gjysmën e parë të vitit 2008, Bufet u klasifikua nga revista “Forbes” si njeriu më i pasur i botës me një pasuri neto prej 62 miliardë dollarësh.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›