E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, konsulta për kreun e Gjykatës së Lartë

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka zhvilluar një takim me gjyqtarët e rinj të Gjykatës Lartë, të cilët sapo kanë filluar detyrën e tyre. Në këtë takim të hapur, presidenti ka bërë të ditur se do të zhvillojë konsulta për kreun e ri të këtij institucioni, pas plotësimit me vendet vakante të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sfida kryesore e kreut të ri të Gjykatës, sipas presidentit është që të krijojë imazhin e një institucion, që është larg ndikimit jo vetëm politik, por edhe aferave ekonomike. “Kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të jetë një individ me integritet të lartë moral dhe profesional, në gjendje të përfaqësojë denjësisht pushtetin gjyqësor, të përballet me sfidat që ka ky pushtet dhe të jetë në gjendje t’i qëndrojë larg influencave jo vetëm politike, por edhe nëpërmjet një linje tjetër që është shumë influente në pushtetin gjyqësor, pikërisht afera që vjen nëpërmjet interesave ekonomike”, deklaroi kreu i shtetit. Ai e cilësoi si një nevojë substanciale vendosjen e kreut të ri të Gjykatës së Lartë. Sipas tij, “një tjetër sfidë është që të përballen gjyqtarët e Lartë e nëpërmjet tyre dhe gjyqtarëve të shkallëve të tjera të gjyqësorit, ishte garantimi i paanësisë dhe profesionalizmit në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor t’i largohet përfundimisht aferave korruptive dhe imazhit me të cilin e ka veshur perceptimi i publikut”. Kreu i shtetit ka ftuar anëtarët e Gjykatës së Lartë, që të bëhen pjesë e debateve për reformën në sistemin e drejtësisë. “Do të ishte jo e këndshme që anëtarët e Gjykatës së Lartë, qoftë dhe anëtarët e gjykatave të tjera, të rrinë indiferentë, kur diskutohen pikërisht çështje shumë të rëndësishme të reformimit të pushtetit gjyqësor”, theksoi Topi.                                        b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›