Nis faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë”
“Rruga e ideve për të ardhmen”, quhet faza e dytë e ‘Dialogut me Shqipërinë’, nisma përmes së cilës PSSH ka vendosur të ndërtojë programin e ri qeverisës. Kjo fazë ka startuar në qytetin e Shkodrës, në një takim të zhvilluar me arsimtarë e pedagogë atje. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, kryetari i PSSH, Edi Rama u shpreh se Shqipëria e sotme nuk është garante e së drejtës së çdo fëmije për ta marrë arsimimin dhe edukimin e nevojshëm. Rama duke iu referuar shifrave zyrtare u shpreh se, analfabetizmi në Shqipëri zyrtarisht tanimë ka prekur 10% të popullatës. Në këto shifra flitet thjesht edhe vetëm në përkufizimin, që analfabet është ai që nuk di shkrim e këndim. Ndërkohë që sot koncepti analfabetizëm, është në të gjitha rastet, kur shkrimi e këndimi i njeriut është i papërdorshëm për ekzigjencat e tij në raport me jetën dhe punën. E në këtë kuptim analfabetizmi i quajtur funksional në Shqipëri është disa herë më i lartë se 10%.