E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, Barroso: Vendim të shpejtë për ndihmën

BRUKSEL- Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso u kërkoi sot në mbrëmje drejtuesve të të gjitha vendeve të BE-së të miratojnë sa më shpejt që të jetë e mundur" krijimin e një mekanizmi ndihme financiare për Greqinë që do të përdoret nëse do të jetë e nevojshme.
"U bëj thirrje drejtuesve të BE-së të bien dakord për këtë instrument sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk mund ta zgjatim edhe më tepër situatën aktuale ", u shpreh ai në një deklaratë përpara gazetarëve.
Me këtë deklaratë, Barroso i bën presion kancelares gjermane Angela Merkel, ende e tërhequr në miratimin e një mekanizmi ndihme financiare për Greqinë, ndërkohë që kryetarët e shteteve dhe qeverive evropiane do të mblidhen të enjten dhe të premten në Bruksel.
Komisioni është i gatshëm të propozojë një instrument ndihme për Greqinë, që do të përbëjë një sistem huaje dypalëshe të bashkërenduar, theksoi Barroso.
Ministrat e Financave të zonës euro ranë dakord të hënën në vija të përgjithshme për një plan të tillë.
Por, ky mekanizëm i paprecedent në historinë e zonës euro pritet ende të bëhet objekt i një miratimit nga kryetarët e shteteve dhe qeverive evropiane që të mund të vihet në zbatim në momentin e duhur, pra edhe të kancelares gjermane, e cila aktualisht nuk pranon të paguajë për problemet buxhetore të Greqisë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›