E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke Venizellos Recesion edhe ne vitin 2012

Greqia do të mbetet në recesion edhe gjatë vitit 2012, situatë që pritet të ndikojë edhe në aftësinë e saj për të arritur objektivat fiskale të vendosura në marrëveshjen e ndihmës me donatorët ndërkombëtarë. Pas fazës së parë të inspektimit të Athinës zyrtare nga trojka europiane, BE, FMN dhe Banka Qendrore Europiane, ministri grek i Financave Evanxhelos Venizelos ka deklaruar se vendi sipas shumë gjasave do të mbetet në recesion.

“Eshtë e dukshme që recesioni do të vazhdojë të jetë edhe më i thellë sesa u parashikua nga partnerët tanë ndërkombëtarë në maaj 2011, ku u bë edhe vlerësimi i fundit i ekonomisë sonë. Ne ndeshemi me shifra të rrezikshme dhe kështu do të ishte e rrezikshme të themi që mund të arrijmë objektivin e një rritjeje ekonomike për vitin 2012”- tha Venizellos.

Gjithsesi, një lajm i mirë për grekët është se nuk do të ketë nevojë për masa të ashpra shkurtimesh si ato që zemëruan publikun nëse reformat e miratuara do të implemetohen mirë. Qeveria dhe huadhënësit e saj ndërkombëtarë thanë se Greqia nuk do të jetë në gjendje të arrijë shifrat e duhura të deficitit buxhetor, por palët nuk ranë dakord sesa do të jetë diferenca nga objektivi dhe as se kush duhet të fajësohet për një gjë të tillë. 

Athina ia vë fajin një recesioni më të madh të ekonomisë nga sa pritej, ndërsa inspektorët e Trojkës mendojnë se vetëm çereku i diferencës nga objektivi i caktuar më herët, i detyrohet recesionit.

Juli Prifti Azhornuar së fundi ( e premte , 02 shtator 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›