E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke dikton vigjilencë ndaj sistemit bankar në Shqipëri

Intervista Intervistë me prof.dr Anastas Angjelin, ish-ministër i Financave dhe i Ekonomisë, dhënë AFP-së

Teksa qeveria shqiptare ende nuk ka publikuar një plan masash për përballimin e pasojave të mundshme të krizës greke, duket se analizat e ekspertëve të fushës, përveçse ndihmojnë në këtë drejtim, apelojnë në vetvete për atë situatë që mund të emërtohet si parakrizë. Ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, merr në shqyrtim simptomat e krizës në shtetin fqinj, të cilat për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes ekonomive të dy vendeve, logjikisht priren të ndikojnë së shpejti edhe në vendin tonë. Të mësuar kryesisht me një lexim që mjaftohet me reduktimin e remitancave të emigrantëve, opinioni i gjerë publik është lënë jashtë informimit të plotë dhe kompleks të situatës ekonomike që po afron. Investimet, raportet tregtare, remitancat, por edhe klima në sistemin bankar, janë evidentuar nga Angjeli si elementë që duhen pasur parasysh nga qeveria në funksion të menaxhimit të një perspektive që po jep shenja se po aktualizohet që tani. Përtej demagogjisë politike dhe mohimit me natyrë elektorale që qeveria po i bën krizës, me optikën e ekspertit, ish-ministri i Financave sugjeron ndërhyrje të menjëhershme, që nuk duhet të përjashtojnë as ato ligjore në drejtim të sistemit bankar, por edhe në rishikimin e marrëdhënieve me FMN-në.

Parlamenti grek dje miratoi programin me paketën e masave antikrizë. Megjithatë, a mendoni se kriza greke ka dhe do të ketë një ndikim në ekonominë shqiptare?

Do të ishte naivitet të mendoje se kriza greke nuk ka ndikuar dhe nuk do të vazhdojë të ndikojë në ekonominë e Shqipërisë. Kjo për shumë arsye dhe faktorë që lidhin dy vendet tona ekonomikisht. Gjithashtu, tashmë që po arrihet në përfundimin se kriza greke nuk ka për të qenë vetëm greke (ose si e tillë), siç deklaruan sot Presidenti Sarkozi dhe Kancelarja Merkel (në letrën drejtuar Presidentit të BE-së dhe Presidentit të BQE-së), kriza greke e borxheve, përveçse ka prekur Spanjën, Portugalinë e Irlandën, mund të prekë (rrezikon) edhe sistemin bankar të vendeve të tjera të BE-së. Sidoqoftë, tashmë një fakt i tillë (i ndikimit të kësaj krize në ekonominë tonë), është pranuar dhe nga qeveria e Kryeministri i vendit dhe nga institucionet e specializuara, Banka e Shqipërisë etj. Diskutimi që mund të bëhet është për shkallën dhe përmasat e këtij ndikimi, drejtimet dhe, sigurisht masat për minimizimin e këtij ndikimi.

Nëse po, ku e shihni këtë ndikim?

Do të konsideroja disa drejtime të ndikimit, ku më shumë e ku më pak të kësaj krize në ekonominë tonë:

Së pari mendoj se një drejtim i rëndësishëm i ndikimit të kësaj krize do të jetë në shkëmbimet tregtare dhe marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve tona. Kjo për faktin e thjeshtë se, në këtë drejtim, Greqia përbën një nga dy partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë (së bashku me Italinë, që është partner kryesor e që edhe ajo nuk mund të konsiderohet e imunizuar nga kjo krizë). Dinamika e këtyre marrëdhënieve në 4-5 vjetët e fundit dëshmon se eksportet greke drejt Shqipërisë kanë qenë 400-600 milionë euro në vit, e theksuar kjo në karburante, çimento, veshje dhe artikujt e veshjeve, tjegulla dhe materiale të tjera ndërtimi, alumin i palidhur dhe profile alumini, prodhime gize dhe çeliku, cigare, birrë, fruta e perime e mallra të tjera ushqimore. Pra, Greqia, duke qenë partneri i dytë dhe fakti që ekonomia e saj është në krizë të plotë, rënia e importeve të saj drejt Shqipërisë, padyshim që përbën një “goditje” dhe “transferim të krizës” ndaj ekonomisë, tregut dhe konsumatorit shqiptar.

Cili është vendi i investimeve greke në Shqipëri dhe a parashikohet një rënie e tyre?

Edhe në drejtim të investimeve të huaja direkte, Greqia është partneri i dytë, sidomos në sektorin financiar-bankar, ku kapitali grek konsiderohet i rëndësishëm (ai zë 25-30% të tregut bankar). Fakti që në totalin e investimeve të huaja direkte, kapitali grek zë vendin e dytë pas Italisë dhe që aktualisht për shkak të krizës mundësitë e kapitalit të investitorëve grekë dhe të vetë ekonomisë greke janë “tkurrur” dukshëm, ndikimi negativ në këtë fushë është gjithashtu një drejtim i ndikimit negativ të kësaj krize në ekonominë tonë.

Së treti, një ndikim të dukshëm të krizës greke në ekonominë dhe gjendjen sociale në vendin tonë do të ketë edhe në drejtim të pakësimit në rritje të të ardhurave nga remitancat (emigrantët shqiptarë në Greqi janë rreth 700 mijë dhe të ardhurat mesatare vjetore prej tyre në këto vite kanë qenë tejet të konsiderueshme për ekonominë dhe familjet shqiptare). Tendenca në rënie e tyre ka filluar që në vitin 2008, teksa në krahasim me vitin 2007, u pakësuan me 30%, ndërsa në 2009 me rreth 20% dhe në 2010 kjo rënie pritet të jetë më e madhe. Ky është një element me ndikim negativ jo vetëm në drejtim të përkeqësimit të Bilancit të Pagesave, por veçanërisht në përkeqësimin e gjendjes sociale të mijëra familjeve shqiptare që të ardhurat bazë të jetesës së tyre i siguronin nga emigracioni në Greqi i fëmijëve dhe të afërmve të tyre.

Së katërti, një rrezik potencial, gjithashtu, intensiteti i së cilës varet nga vazhdimi dhe thellimi i krizës greke, është dhe mbetet ai i rikthimit të emigrantëve nga Greqia në Shqipëri. Kjo, si rrjedhojë e rritjes së papunësisë në Greqi (nga ku emigrantët janë më të prekurit nga ky fenomen në kushtet e krizës), duke sjellë në këtë mënyrë transferimin e këtij fenomeni dhe pasojat e rënda sociale që ai mbart. Në Shqipëri ai mund të shoqërohet edhe me efekte pozitive minimale, deri në një farë mase në drejtim të investimeve të vogla në Shqipëri.

Së pesti, në rritjen e çmimeve të disa produkteve që importohen nga Greqia. Meqenëse eksportet greke në drejtim të vendit tonë po bien, si rrjedhojë e rënies ekonomike në Greqi, kjo ka çuar edhe në rritjen e çmimeve të shumë produkteve me bazë importi (vetëm çmimi i karburanteve ka shënuar një rritje gati 50% në krahasim me 6 muaj më parë). Këtu ka ndikuar dhe faktori i brendshëm, ai i rritjes së akcizave.

Së gjashti, monedha vendase është zhvlerësuar me rreth 25% përballë euros në krahasim me një vit më parë (pavarësisht nga ndonjë vlerësim i vogël i lekut ditët e fundit për shkak të tronditjes së euros, si rrjedhojë e krizës greke). Kjo, kryesisht sepse mungesa e likuiditeteve në valutë të huaj (kryesisht euro) në tregun shqiptar ka ardhur në rritje, ndërkohë që kërkesa për euro mbetet e njëjtë. Ky zhvlerësim i monedhës sonë kombëtare ndikon drejtpërdrejt në nivelin e brendshëm të konsumit dhe masën e kredive të këqija, ritmi i rritjes së të cilave nuk po rresht (ato janë trefishuar gjatë viteve 2007-2008. Nga 3% e portofolit, kanë arritur në 11.46%). Meqenëse shumica e mallrave importohen nga vendet europiane (përfshi dhe Greqinë si vendi i dytë eksportues), ky zhvlerësim ndikon edhe në rritjen e çmimeve të mallrave, që çon gjithashtu në uljen e konsumit.

Së shtati, gati 25-30% e tregut financiar bankar shqiptar përbëhet nga prania e veprimtarisë së bankave greke. Megjithatë, deri tash nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të madh në këtë drejtim për shkak të burimit (origjinës) së kapitalit të këtyre bankave, shkallës së varësisë së tyre nga bankat “mëmë” etj. Por gjithsesi, vigjilenca nuk duhet ulur, rreziku potencial mbetet, për sa kohë që ky rrezik po rritet për sistemin bankar të shumë vendeve të tjera të BE-së.

Së teti, përkeqësimi i krizës ekonomike në Greqi, padyshim që ka një ndikim edhe në realizimin e tregtimit të eurobondeve që qeveria shqiptare ka vendosur për marrjen e një huaje prej 400 milionë eurosh në tregjet financiare ndërkombëtare. Pavarësisht nga arritja e një marrëveshjeje midis qeverisë greke dhe FMN-së për një paketë ndihme 3-vjeçare në masën 120 miliardë euro dhe programit ekonomik e financiar të masave që do të ndërmerren e të zbatohen, nuk pritet që ato të japin efekte të menjëhershme në ekonominë greke, dhe aq më shumë të ndikojë pozitivisht në mënyrë të shpejtë mbi ekonominë e vendit tonë. Ndërkaq, mesa duket “kriza e borxheve” nuk është vetëm greke, por më e gjerë (Spanja, Portugalia, Irlanda dhe disa vende të tjera europiane rrezikohen nga kjo krizë). Thirrjet e Presidentit francez, Sarkozi, dhe Kancelares gjermane, Merkel, me nëntekstin se “...shpëtimi i Greqisë është shpëtimi i Europës...”, duket se tashmë nuk janë më një “shaka”. Padyshim që kjo krizë e borxheve vazhdon t’i mbajë të tronditura tregjet financiare ndërkombëtare. Me gjithë krizën e thellë në Greqi, eurobondet greke mbeten ende më të preferuara në këto tregje (besimi në mbështetjen që BE dhe FMN i dhanë Greqisë dhe miratimi nga Parlamenti grek i paketës së masave dhe reformave antikrizë) në raport me eurobondet e shteteve të tjera, përfshi dhe ato të emetuara nga qeveria shqiptare. Për këtë shkak, si dhe për faktin që kompanitë ndërkombëtare më prestigjioze të vlerësimit të riskut të borxhit, “Standart & Poor’s”, “JCR”, nga njëra anë njoftojnë për “efekte domino” të krizës së borxheve greke dhe nga ana tjetër vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë në klasifikimin B+ (si vend me risk të lartë për rikthimin e borxhit), shitja e eurobondeve shqiptare për të siguruar 400 milionë euro borxh, duket se “do të ngrijë si proces”, ose në rastin më të keq do realizohet me kosto shumë të lartë. “Ngrirja e saj do jetë me pasoja dhe do të krijojë vështirësi në buxhetin dhe financat e shtetit dhe kostoja e shërbimit për borxhin e trashëguar, e sidomos ajo e viteve 2008-2009 do vijë duke u rritur, çka do të bëjë që gjatë këtij viti dhe në vitet në vazhdim, 2011-2012 (kur borxhi i trashëguar maturohet dhe kërkohet të paguhen rreth 900 milionë euro), ta vështirësojë më tej gjendjen financiare të shtetit.

Konkluzion

Kriza globale në përgjithësi dhe ajo greke në veçanti ka ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare. Kësaj situate, po t’i shtojmë edhe faktin se Shqipëria po përjeton një krizë të stërzgjatur politike, një situatë në rënie ekonomike (dy tremujorët e fundit ka tendencë në rënie drejt zeros të ritmeve të rritjes ekonomike) dhe një shtim të vështirësive në menaxhimin e financave publike, duket se viti që jemi dhe ai më pas do të shoqërohen me rritje të mëtejshme të vështirësive ekonomike, financiare dhe problemeve sociale të ashpra në vend.

Rekomandim

Zhvillimet e ekonomisë duhet të riorientohen me shpejtësi drejt një modeli me prioritete të reja, përmes një ristrukturimi të plotë të saj, për gjetjen dhe sigurimin e burimeve ekonomike që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe të garantohet një menaxhim profesional dhe efikas, jo populist, i financave publike. Gjithashtu, ruajtja në vazhdimësi e me vigjilencë e sistemit bankar, forcimi ligjor i supervizionit të këtij sistemi dhe institucioneve financiare jo bankare, si dhe harmonizimi i rregullave dhe praktikave me ato që po ndërmerr BE, duhet të përbëjnë prioritet. Nga ana tjetër, në këtë moment kërkohet më shumë bashkëpunim dhe rritje e rolit dhe eficencës së diplomacisë ekonomike dhe hartimit të planeve të përbashkëta rajonale për përballimin e pasojave të krizës financiare globale në përgjithësi dhe të asaj greke në veçanti. Në këtë kuadër, rishikimi i marrëdhënieve dhe i statusit të bashkëpunimit me FMN-në do të ishte një ndihmesë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›