Kriza, jep dorëheqjen myftiu i ri i Shkodrës
Konfliktet/ Ermal Nurja largohet nga drejtimi i Myftinisë së Shkodrës, ndërsa nuk ka pranuar të prononcohet
Ish-myftiu Ndriçim Sulejmani akuzon KMSH-në se po eksperimenton me myftininë e Shkodrës
SHKODËR - Myftinia e Shkodrës tashmë është përfshirë nga konfliktet. Ngjarja më e fundit është dorëheqja e myftiut të ri të emëruar më 25 mars nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, pas vendimit për largimin e imamit Ndriçim Sulejmani. Megjithëse nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me këtë vendim të marrë vetëm disa javë pas emërimit në detyrë, mësohet se ai ka pretenduar se shkaqet e largimit të tij kanë qenë personale.
Por ndryshe e ka komentuar këtë largim të Nurjes, imami i shkarkuar nga detyra, Ndriçim Sulejmani. Ky i fundit, në një komunikatë për shtyp e ka akuzuar KMSH-në se po eksperimenton me Myftininë e Shkodrës. Lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për pengesën që po i shkaktohej myftiut të ri, Sulejmani deklaroi se "Nurja asnjëherë nuk është takuar me Sulejmanin dhe as nuk ka pasur pengesë apo përplasje për çështje dorëzimesh apo të jetë penguar nga Sulejmani që të ushtrojë kompetenca në zyrat e myftinisë. Kam theksuar që Nurja është kolegu im. Ndërsa për dorëheqjen kam përshtypjen se vërteton presionet psikologjike që kryesia i bën kuadrove, siç e kam përcjellë edhe në komunikatën e shpërndarë për mediat. Kjo dorëheqje nëse është zyrtare, vërteton krizën e thellë të kryesisë, e cila po bën eksperimente me institucionin fetar të Myftinisë së Shkodrës dhe kuadrot e saj. Ky nuk është problem as i Sulejmanit, as i Nurjes, as i Bajraktarit, - tha ish-myftiu. - Shkarkimi në shkelje të statusit, hapja me forcë e zyrave nga zyrtarë të lartë të KMSH-së dhe dorëheqja e Nurjes janë argumente të gjalla të fajit për rëndon mbi kryesinë", përfundoi Sulejmani.
Ermal Nurja mësohet se ka dhënë dorëheqjen nga myftinia e Shkodrës për arsye të cilësuar prej tij si personale. Një gjë e tillë ka rindezur debatet dhe ka vërtetuar krizën që ekziston brenda këtij komuniteti në Shkodër. Në fakt, më pak se një muaj më parë, në një mbledhje të saj KMSH vendosi shkarkimin e Sulejmanit, duke e akuzuar se po e shkëpuste Myftininë e Shkodrës nga drejtuesit e saj. Ndërkohë vetë imami ka akuzuar KMSH lidhur me shkeljet që janë bërë me pronat e myslimanëve në këtë qytet. Madje, pas shkarkimit ai e çoi çështjen në gjykatë, duke e cilësuar atë si jo në përputhje me statutin e KMSH-së. Teksa priste vendimin e gjykatës, dera e zyrës së Sulejmanit u shpërthye për t'ia dhënë kështu detyrën pasardhësit të tij, që dje dha dorëheqjen.