Antikontrabanda bllokon 12 ton fruta, i lë të prishen në port
VLORË/ Prej 48 orësh, një ngarkesë e mbërritur nga Italia ka mbetur e bllokuar në port, në kushte atmosferike
VLORË - Rreth 12 ton portokalle e domate rrezikojnë prishjen, ndërsa janë lënë të hapura në portin e Vlorës me një urdhër të mbërritur nga antikontrabanda e Tiranës. Mësohet se nga ana e antikontrabandës së Vlorës, pronarëve të mallit u është vënë një gjobë prej 5 milionë lekësh për shkak se peshat përkatëse të portokallëve e domateve ishin këmbyer. Por pas pagimit të doganës, si dhe gjobës së vendosur, pronarët nuk kanë mundur të tërheqin mallrat e tyre, pasi një urdhër i dytë i mbërritur këtë radhë nga Tirana, i ka bllokuar duke dhënë urdhër shkarkimin e ngarkesës dhe mbajtjen të bllokuar deri në mbërritjen e tyre për një verifikim të dytë. Një gjë e tillë ka bërë që 12 ton portokalle e domate të mbeten të hapura në portin e Vlorës në kushtet atmosferike, në një kohë që duhet të jenë të mbylura në frigorifer. Kjo sasi po qëndron e bllokuar prej 48 orësh, ndërkohë që bëhet e ditur se vlera e dëmit që u shkaktohet pronarëve arrin në jo pak, por rreth 16 mijë euro. Sipas përfaqësuesit të firmës, ngarkesa ka pesë ditë që është marrë në Itali dhe është mbajtur në ambjente frigoriferike. Sipas ligjit, pas 48 orëve ajo duhet të dilte në treg për konsum. Në këto kushte, ngarkesa prej 12 tonësh me një vlerë prej 16 mijë eurosh është në rrezik. Përfaqësuesi i firmës shprehet se ai ka paguar doganën dhe gjobën e vendosur nga anikontrabanda, por tashmë smund ta lëvizë mallin e tij. "Bllokohen ngarkesat në protet e vendeve të tjera, por futen në magazine frigoriferike derisa të kryhen verifikimet e nevojshme, - thotë ai. - Por në portin e Vlorës i gjithë malli, edhe pse dëmtohet dhe del jashtë përdorimit, mbahet në ambiente të hapura. Kjo praktikë e antikontrabandës së Tiranës, ndoshta bëhet me qëllim që tregtarët të mos hyjnë në portin e Vlorës, por të Durrësit, për të dëmtuar në të vërtetë tregtarët, doganën dhe portin e Vlorës".