Kriza vjen zyrtarisht, INSTAT: Rritja më e ulët që nga 1997
Instituti i Statistikave ka konfirmuar zyrtarisht, se ekonomia ka ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes gjatë tremujorit të tretë të këtij viti
Kriza ekonomike në vend tashmë vjen zyrtarisht, me një tkurrje të thellë të motorit të ekonomisë, i cili po tenton që të ulë rrahjet në pjesën e dytë të këtij viti. Rënia duket se vjen për shumë faktorë që i kanë munguar pjesës së dytë të vitit, që nga mungesa e kreditimit e deri tek tkurrja e investimeve dhe shpenzimeve të tjera fiskale. Duke qenë në një vit elektoral, qeveria derdhi gjatë pjesës së parë të vitit të gjitha të ardhurat dhe borxhet e marrë, duke lënë në pjesën e dytë një pjesë të madhe të ekonomisë pa likuiditet.
***
Në tremujorin e tretë të vitit, rritja ekonomike sipas INSTAT-it ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1997. “Rritja ekonomike është 4.1 për qind krahasuar më të njëjtin tremujor të një viti më parë”, u shpreh Ledion Shahini, specialist i llogarive kombëtare. Tremujori i tretë ishte paralajmëruar që më parë nga FMN dhe BERZH, si pika kur ekonomia shqiptare do të fillonte ciklin rënës. Vetëm brenda këtij tremujori, rritja ekonomike është ulur me 1.2 për qind, krahasuar me tremujorin e tretë. Kjo sipas INSTAT-it ka ndodhur për shkak të goditjes nga kriza të disa sektorëve më kyç. “Grupi i ndërtimit shënoi një rënie 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të 2008. Grupi i industrisë shënoi rënie 4.5 për qind krahasuar me muajin e tretë të vitit 2008”, u shpreh Shahini.
***
Rënia mund të kishte qenë edhe më e madhe, por INSTAT-i thotë se ekonomia po përfiton nga teknologjitë e reja, si interneti apo shërbimet e tjera inovative në fushën dixhitale. “Grupi i postë-telekomunikacionit shënoi një rritje të tremujorit. Te ky grup ka pasur ndikim edhe ulja e çmimeve në këtë grup shërbimi”, u shpreh Shahini. Nëse tendenca rënëse e tremujorit të tretë do të konfirmohet edhe në tremujorin e katërt të vitit, atëherë rritja ekonomike në Shqipëri mund të bjerë poshtë 3 për qind, aq sa parashikimet e FMN dhe Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim.
***
Por parashikimet e FMN-së duket se në fund të këtij viti janë bërë realiste. Pavarësisht se ekonomia shqiptare ka një mungesë në kreditim prej rreth 1 miliard eurosh krahasuar me vitin e kaluar, i mungojnë një pjesë e mirë e remitrancave nga jashtë dhe po humbet treg çdo ditë në mallrat e eksportit, rritja ekonomike sipas vlerësimit të INSTAT-it për tremujorin e dytë të vitit është 5.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Megjithëse këto të dhëna janë tremujore, vlerësimi që i bën INSTATi treguesit të rritjes ekonomike, që është edhe kryesori për temperaturën e ekonomisë, është rreth 760 për qind më i lartë se vlerësimi që i bën Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të muajit shtator. Diferencat midis vlerësimit të bërë nga INSTAT-i, por edhe Ministrisë së Financave për këtë tregues qëndrojnë shumë larg nga ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke sjellë edhe njëherë kufizim dhe mungesë besueshmërie te statistikat e qeverisë.
***
Diferenca kaq të mëdha në vlerësimet për ekonominë e vendit nga një institucion ndërkombëtar nga njëra anë dhe institucioni përgjegjës për statistikat në vend INSTAT, ngjallin konfuzin te aktorët ekonomikë në treg, por edhe nga ana e investitorëve të huaj. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij të vlerësimit ekonomik për muajin shtator bëhet e ditur se rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë 0.7 për qind dhe në vitin e ardhëm ajo nuk do të jetë më shumë se 2.2 për qind. Por parashikimet e qeverisë dhe INSTAT-it mbeten disa herë më të larta. Kështu, sipas qeverisë, vlerësimi për këtë vit i rritjes ekonomike në vend është 5.8 për qind, ndërsa në vitin 2010 qeveria vlerëson se rritja ekonomike do të jetë në nivele normale të viteve të mëparshëm.
Ruli kërkon kreditim për fermerët
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ka zhvilluar dje një takim konsultativ me përfaqësues të shoqatave të mikrokredive, i cili ka pasur si qëllim diskutimin e vështirësive që ndesh kreditimi i aktivisteve bujqësore. “Duke u bazuar në eksperiencën tuaj disavjeçare, - u ka thënë ministri Ruli të pranishmëve, - do të mundohemi të identifikojmë së bashku se çfarë mund të bëhet për lehtësimin e aksesit të fermerëve në mikrokredi dhe rritjen e financimit për aktivitetet bujqësore”. Zonat rurale në Shqipëri zënë rreth 2/3 e sipërfaqes dhe punësojnë (direkt apo indirekt) mbi 50 për qind të krahut të punës. Këto zona përmbajnë potenciale të konsiderueshme për zhvillimin e vendit, ku përveç të tjerash, mund të përmendim: produktet bujqësore, agropërpunimin, turizmin rural, artizanatin, shërbimet rurale etj. Shfrytëzimi i këtyre potencialeve ekonomike dhe përshpejtimi i ritmeve të zhvillimit ekonomik të këtyre zonave kërkon rritjen nivelit të investimeve për shtimin e kapitalit fizik (investime në infrastrukturë dhe teknologji të përparuara) të bizneseve rurale (bujqësore dhe jobujqësore). “Edhe pse bankat kanë filluar vitet e fundit të futen në tregun e mikrofinancës, ato janë shtrirë shumë pak në zonat rurale, duke mbetur pothuajse vetëm në zonat urbane dhe periurbane. Aktualisht, oferta e mikrokredisë në zonat rurale është pak e zhvilluar, duke mbuluar vetëm rreth 10-15 për qind të kërkesës së familjeve dhe ndërmarrjeve rurale. Kjo gjendje është akoma më problematike në sektorin bujqësor, ku vështirësitë lidhur me aksesin në kreditim janë akoma më të mëdha. Përveç nivelit të lartë të interesave, aksesi i bizneseve rurale në kreditim përballet dhe me faktorë të tjerë si: mungesa e sasisë së kërkuar të kolateralit, papërshtatshmëria e kushteve dhe afateve të pagesës së kredisë me ciklin e biznesit (sidomos për bizneset bujqësore) dhe ciklin e të ardhurave dhe shpenzimeve (cash-flow), niveli më i lartë i riskut krahasuar me bizneset urbane etj.
“Rritja e konkurrueshmërisë dhe aksesit në treg, si dhe diversifikimi i ekonomisë rurale (bashkë me përmirësimin e cilësisë së jetës në këto zona), përbëjnë disa nga objektivat kryesore të qeverisë për zhvillimin e zonave rurale gjatë këtij mandati”, tha Ruli.
Kursi
Kriza e zhyt lekun në pikun e ardhjes së emigrantëve
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë fundvit nuk kanë mjaftuar prurjet valutore të emigrantëve për të ndikuar në kursin e këmbimit euro-lekë. Monedha vendase nuk është mbiçmuar gjatë këtij sezoni, duke bërë që euroja të mbetet në kufijtë e 136 lekëve, i njëjti nivel si një muaj më parë. Për agjentët e tregut valutor ka mbaruar koha që remitancat të ndikojnë në përcaktimin e vlerës së këmbimit. Tashmë të ardhurat e emigrantëve janë në kufijtë e jetesës. Ajo çfarë ekspertët i druhen, është se muaji janar do të shënojë forcimit të mëtejshëm të monedhës europiane. Sipas tyre, edhe bankat e nivelit të dytë në Shqipëri duhet të bëjnë më shumë për të thithur kursimet e emigrantëve, duke rritur normat e interesit të depozitave. Monedha vendase, leku, ka vazhduar që të humbasë terren gjatë ditëve të fundit, duke treguar edhe njëherë se emigrantët nuk mund të bëjnë më asgjë për të mbajtur lekun në nivelet e një viti më parë. Zhvlerësimi i monedhës vendase ka qenë i fortë edhe ndaj dollarit, i cili ka pasur një kurs këmbimi prej 95 lekësh gjatë ditëve të fundit. Euroja është shkëmbyer me 137 lekë në fundin e kësaj jave, ndërsa ekspertët shprehen se nuk pritet më që të ketë ndryshime të mëdha në çmimin e monedhës europiane.
***
Shkaktarët për këtë situatë aspak të favorshme ishin pikërisht reduktimet e ndjeshme të flukseve të futjes në vend të monedhës europiane. Një nga goditjet më të forta ishte bllokimi thuajse i plotë i kreditimit në monedhën europiane nga ana e bankave të nivelit të dytë. Në këtë drejtim, masat e marra nga ana e sistemit bankar vlerësohen si drastike, duke shkuar deri në përgjysmim të kredisë së re të dhënë në total për monedhën europiane gjatë këtij viti. Kredia për konsum në euro u reduktua thuajse tërësisht, duke u dhënë vetëm në monedhën vendase. Nga njëra anë bankat menduan për mirë, duke ulur riskun e kursit të këmbimit për një pjesë të mirë të aktorëve në këtë treg, por njëkohësisht pati një reduktim të ndjeshëm të ofertës në euro, e cila pati ndikime të forta në shtrenjtimin e kësaj monedhe. Nga ana tjetër, remitancat u futën në një krizë, që ishte e natyrshme pas situatës kaotike në të cilën është futur ekonomia greke veçanërisht, por edhe ajo italiane, që janë vendet në të cilat jetojnë edhe shumica e emigrantëve shqiptarë. Nga ana tjetër, edhe volumi i eksporteve pësoi një reduktim të ndjeshëm, duke lënë si një nga burimet e pakta të futjes së valutës në Shqipëri vetëm investimet e huaja direkte, që kanë kompensuar disi reduktimin e eksporteve.